Shkëlzen Ibrahimi, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se rastet e vrasjes, trajtohen me prioritet nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por që tha se të njëjtat po vonohen të zgjidhen nga ana e gjykatave.
Ai bëri të ditur se janë shtatë prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda në këtë prokurori, e që të njëjtit trajtojnë edhe rastet e vrasjeve.
Sipas tij, gjatë katër muajve të parë të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar dy raste të vrasjeve, ndërkaq gjatë vitit 2021 ka pranuar shtatë raste të vrasjeve.
Prokurori Ibrahimi tha se të shtatë prokurorët që merren me rastet e vrasjeve aktualisht kanë nga një rast në trajtim, derisa theksoi se ka edhe raste që janë të pezulluara për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.
“Këto raste te ne si Prokurori, aktualisht për shkak të ndarjes që e bëjmë, kryhen brenda afatit të arsyeshëm, mirëpo në fazën e gjykimit paraqiten arsye që ndoshta më shumë munden me iu dhënë arsyen nga ana e gjykatës. Ndoshta, vlerësoj unë, se janë lëndët komplekse, janë lëndë të rënda dhe vetë gjyqtarët kërkojnë kohë më të gjatë për trajtimin e tyre. Ka numër të vogël të gjyqtarëve veçmas në Gjykatën Themelore në Prishtinë qoftë për shkak të pensionimit apo avancimit të tyre. Kur jemi këtu, ndoshta kish qenë mirë edhe Kuvendi i Kosovës të na ndihmojë, meqenëse drafti i Kodit të Procedurës Penale është në hartim e sipër në Kuvend dhe të njëjtit të kufizojnë sa herë Gjykata e Apelit t’i rikthejë rastet në rigjykim. Ndoshta të njëjtit për shkak të përvojës së gjatë, profesionalizimit, do të mund të jepnin më shumë kontribut në trajtimin e këtyre çështjeve penale të vrasjeve që zgjasin për shumë vite”, shtoi Ibrahimi.
Sfidë për prokurorët, Ibrahimi tha se është sigurimi i provave përmes ADN-së, si dhe rastet kur kërkohet ndihmë juridike ndërkombëtare.
-
Prokuroria e Prishtinës ankohet për mungesë prokurorësh: Janë 46 nga 79 sa duhej të ishin
-
Departamenti që gjykon krimet e luftës shënon rënie të numrit të gjyqtarëve
-
Shala: Vetëm tre prokurorë në DKR të Prokurorisë Speciale, në mesatare 330 lëndë për prokuror
-
Zekaj: Kemi rekomanduar krijimin e një trupe të veçantë për trajtimin e vrasjeve
-
Zeqaj: Rastet e gazetarëve trajtohen me prioritet