Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Yll Zekaj, thotë se mënyra e trajtimit të rasteve të vrasjeve në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, lë shumë për të dëshiruar, gjë që po ndikon në zvarritje dhe kthim të shpeshtë të rasteve në rigjykim. Por që theksoi se IKD-ja ka rekomanduar krijimin e një trupe të veçantë, në mënyrë që rastet e vrasjeve të trajtohen më me efikasitet.
“Një prej fenomeneve shqetësuese si administrohet keq drejtësia janë pikërisht rastet e vrasjeve, ku shqyrtimet gjyqësore zvarriten dhe për më tepër, aktgjykimet që shpallen në fund të këtyre proceseve, përcillen me shkelje të shumta, për të cilat gjykatat e niveleve më të larta, i prishin këto lëndë dhe i kthejnë në rigjykim. Kthimi i shpeshtë në rigjykim shkakton dëme të shumanshme, ku palët përfshihen disa herë në shqyrtime gjyqësore, dëshmitarët mund të vdesin rrugës dhe ajo që është e papranueshme, ndikon në zvarritje të paarsyeshme për ta vendosur drejtësinë në këto raste. Pra, në aspektin profesional, kthimi i shpeshtë i këtyre rasteve në rigjykim, dëshmon për joprofesionalizëm të sistemit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve. Ndërsa, për palët kjo është shkelje e të drejtave për t’u administruar drejtësia në kohë të arsyeshme, e cila nuk ka assesi se si të përkthehet ndryshe, përveç si humbje e besimit në drejtësi”, tha ai.
Zekaj tha se IKD-ja duke parë dështimet e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë në zbardhjen dhe trajtimin e rasteve të vrasjeve, ka rekomanduar krijimin e një departamenti të veçantë në Prokurorinë Speciale.
“Brenda sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor, ka nevojë për një reformë organizative. Kjo reformë konsiston në nevojën për krijimin e një trupe të veçantë prokuroriale dhe gjyqësore, për trajtimin e veprave penale të vrasjeve. Sa i përket sistemit prokurorial, deri më tani nuk ka pasur kritere të qarta as në letër e as në praktikë për përzgjedhjen e rasteve të vrasjeve të cilat janë trajtuar dhe duhet të trajtohen nga ana e PSRK-së. Duke pasur parasysh se brenda vitit sillen mesatarisht rreth 30 vrasje, kjo nënkupton se ka nevojë për një riorganizim të kapaciteteve në sistemin prokurorial dhe gjyqësor. Në këtë drejtim, IKD ka rekomanduar formimin e një trupe të veçantë si në PSRK ashtu edhe në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për trajtimin e veprave penale të vrasjeve. Kjo do të rriste profesionalizmin e hetuesve, prokurorëve, por edhe të vetë gjykatësve, të cilët do të profilizoheshin dhe do të shtonin efikasitetin dhe efektivitetin në trajtimin e këtyre rasteve”, u shpreh ai.
-
Zekaj: Në trajtimin e rasteve të vrasjeve ka mungesë të profesionalizimit
-
Evidentohet rritje e krimeve e mungesë prokurorësh
-
IKD: Rreth 113 mijë lëndë të pazgjidhura, po shkelet e drejta për gjykim në kohë
- Dhuna në familje dhe trajtimi i saj
-
Shala: Vetëm tre prokurorë në DKR të Prokurorisë Speciale, në mesatare 330 lëndë për prokuror