Prishtina sot është njëra ndër qendrat më të rëndësishme në aspektin institucional e ekonomik në vend. Kjo për shkak të mundësive që ofron
Duke qenë njëra ndër adresat më të rëndësishme për studime, për punë, po bëhet edhe njëra ndër vendet ku shumëkush dëshiron të jetojë dhe investojë për jetesë në kryeqendër.
Lëvizjet e popullsisë drejt Prishtinës, kanë rritur kërkesat për investime, por njëkohësisht kanë rritur edhe çmimin banesave. Hovi i madh i ndërtimit i koncentruar në kryeqytet, duke mos lënë anash as komunat tjera në Kosovë, e ka kthyer ndërtimin në sektorin më fitimprurës në vend, ku në të derdhen shuma të mëdha të parave.
Përderisa vazhdon të ndërtohet, paga mesatare në vend mbetet e ulët.
Ndonëse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat për pagën mesatare për vitin 2022 nuk rifreskohen deri në maj të këtij viti. Sipas ekspertëve ekonomikë, paga mesatare neto në sektorin privat aktualisht është 419 euro, ndërsa ajo në publik 612 euro, kjo deri para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave.
Nga kjo, natyrshëm lind pyetja se me këto paga kush po ka mundësi të blejë banesa dhe a kanë mundësi qytetarët me këtë standard të blejnë banesa me çmime të larta në Prishtinë?
“Një familje, e cila është e punësuar me dy anëtarë të familjes me një pagë mesatare në sektorin privat në Prishtinë, mund të themi se është mjaftë e vështirë për të marrë një banesë. Duke pas parasysh se në qoftë se merret paga mesatare diku prej 300-400 euro në sektorin privat, dy paga 800 euro, dhe për ta pagu një këst mujor të bankës domethënë për ta mbulu blerjen e një banese për një periudhë prej 15 vitesh i bie që së paku të ndahen 300 ose 400 euro që do të thotë gjysma e të ardhurave të familjes do të shkojnë për të mbulu shpenzimet këstit të banesës dhe pjesa tjetër nuk është e mjaftueshme për të mbulu nevojat bazike të familjes, të ushqimit, pagesë së shpenzimeve tjera komunale të shpenzimeve të arsimit në qoftë se kanë fëmijë e tjera”, thotë eksperti i ekonomisë, Lekë Musa.
Pavarësisht kësaj, sipas zyrtarëve të agjencive për patundshmëri, kërkesat për blerje të banesave kanë shënuar ngritje.
“Interesimi i qytetarëve edhe na çuditemi është në ngritje secilën kohë na veç qetash me statistikat e brendshme mbi dyfishin e asaj çfarë ofrojmë për shitje d.m.th. kemi kërkesa për blerje edhe për qiramarrje sa dyfishi i asaj që ofrohet për me lëshu me qira ose me shit edhe e kemi pas edhe ngritje të kërkesave secilën herë për mbi 20 përqind vjetore”, ka thënë Milot Mehmeti nga kompania e patundshmërive “ProReal Estate”.
Ndryshimi i mënyrës së jetesës, nevoja për privatësi ka bërë që çiftet e reja të jenë në kërkim të një banese, e cila minimalisht do i përmbushë kërkesat e tyre, për një hapësirë të mjaftueshme banimi. Për të siguruar këtë hapësirë, qytetarëve iu duhet të marrin kredi për të cilën duhen me dekada për ta mbuluar.
Eksperti i ekonomisë, Mustafe Kadriaj thotë se pjesa dërrmuese e qytetarëve janë në kredi dhe shumica e atyre kredive janë gjithnjë për banime, kjo pasi edhe ndryshimi i konceptit të kulturës nga familje të mëdha, në familje të ngushtë.
“Për fat jo të mirë është një rregull i pashkruar për kredinë që ai që hynë njëherë në kredi, në fakt potencialisht është problem të del nga kredia dhe kështu që qiftet kanë me u përball ton jetën deri sa të dalin në pension me kredina sepse gjithmonë kërkesat janë me të mëdha sesa mundësitë”, thotë ai.