Të gjitha këto përvoja, reperët nuk përtojnë t’i shprehin dhe në këngët e tyre. Andaj, tekstet e këngëve po shihen si nxitës të dhunës dhe me ndikim negativ tek të rinjtë. Sipas sociologut Jeton Brajshori, hulumtimet kanë treguar se këto tekste ndikojnë në rritjen e dhunës, përdorimit të narkotikëve e armëve.
Në Evropë kanë dalë hulumtime që e rrisin në masë të madhe konsumimin e drogës, për arsye se dëshirojnë të duken sa ma “in” në shoqërinë ku ata janë.
Sipas teksteshkruesit Kreshnik Avdiut, i cili është edhe psikolog klinik, këto tekste i mësojnë të rinjtë për një pasurim brenda natës.
“Dilni ju me kerre të shtrenjta, edhe jepni tendence fëmijëve se duhet me bo pare brenda një nate, duhet me u bo milioner brenda një nate, edhe kur ata e shohin që nuk janë t’u mujtë me mbërri një gjë të tillë, përfundojnë edhe me vetëvrasje edhe me gjana të tilla të shëmtuara”, ka thënë ai.
Sipas Avdiut dhe Brashorit, këta reperë dhe këto tekste duhet të futen nën llupën e drejtësisë dhe mosndëshkushmëria e tyre, krijon pasiguri tek qytetarët.
“Unë mendoj që kjo punë duhet me hi në lupën e organeve të rendit, drejtësisë”, ka thënë ai.
“Kjo ndikon në krijimin e pasigurisë totale, për arsye se nëse e marrim një person me dhjetëra vepra penale, një recidivist i cili lirohet vazhdimisht thjeshtë sistemi gjyqësor ka dështuar, sistemi gjyqësor është duke i fuqizuar personat e tillë dhe në ketë mënyrë këta persona e shohin vetëm mjaft të fuqishëm dhe rinia jonë duke e parë mënyrën se si ata sillen se si nuk ndëshkohen, atëherë do të munden edhe ata që t’i imitojnë në mënyrë që ta shohin edhe këta se janë mbi ligjin”, ka thënë Brajshori.
Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se rastet e reperit Ardian Xhaferi dhe të tjerëve, tregojnë për një politikë të ulët ndëshkimore dhe se dënimet e shqiptuara nga gjykata në asnjë rast nuk e kanë arrit qëllimin e tyre.
Vetë reperi “The Mike”, thotë se rruga që ai ka zgjedhur nuk është e duhura, por nuk e përjashton mundësinë që ai të përfshihet prapë në vepra tjera penale.
“Për ata që dojnë me bo diçka me jetën e vet, kjo rrugë nuk është zgjidhje a po din”, ka thënë ai.
Por ai nuk përjashton mundësinë që të përfshihet prapë në vepra tjera penale.
“Sa i përket karakterit tem, jo, po në atë moment që mu ma cenon dikush lirinë, unë po”, ka thënë ai.
Rasti i reperit “The Mike”, dhe reperëve tjerë tregon dështimin e sistemit të drejtësisë për të trajtuar në mënyrë meritore rastet. Ndërsa këto tekste të reperëve ku shpërfaqet kriminalitet, si duket tregojnë se përgjegjësit e sistemit të drejtësisë, nëse se bëjnë punën e tyre si duhet, së paku ia rrisin volumin dhe i dëgjojnë vetë këto këngë.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Arti “Kriminal”, i cili transmetohet në KTV, TVArta dhe Betimi për Drejtësi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.