BETIMI PËR DREJTËSI

Hasani: Komisioni i Venecias rekomandoi të kundërtën e asaj çfarë kërkoi pushteti për Vetting

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Opinioni i Komisionit të Venecias për Vettingun ka rekomanduar të kundërtën e asaj çfarë ka kërkuar pushteti.

Hasani thotë se ajo çfarë ka rekomanduar Opinioni i Venecias është përdorimi ose shterja e të gjitha mundësive për veprim brenda infrastrukturës ekzistuese kushtetuese dhe ligjore. Ka thënë se do ndihej keq nëse dikush do i bënte kaq shumë vërejtje në dokument.

“Janë bë vërejtje të cilat të them te drejtën isha ndje i shumë keq si jurist sikur dikush të mi kishte bo gjithë ato vërejtje në dokument, kushdo qoftë”, ka thënë Hasani.

Komisioni i Venecias ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, duke rekomanduar vetting të pjesshëm, e jo të plotë siç pati kërkuar Qeveria.

Hasani ka komentuar edhe deklaratat e fundit të Qeverisë për sistemin e drejtësisë, për punën e prokurorëve dhe gjykatësve. Sipas tij, Kuvendi dhe Qeveria duhet të hapin debat për fenomenet si dhuna, vrasjet, narkotikët por jo të bëjnë vlerësime.