Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

32 punëtorët që paguheshin nga MASHTI pa punuar “u bënë të gjallë” pasi mbetën pa paga

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është një nga ministritë ku janë punësuar ish-pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të kësaj ministrie për vitin 2020 evidenton 32 punonjës që janë paguar pa dalë fare në punë, në vlerën financiare prej 135 mijë e 760 euro. Këta 32 zyrtarë pa vijuar asnjë ditë punën kanë marrë paga në shumën 847 mijë euro nga ministria që nga viti 2016 e deri në muajin shkurt të këtij viti, kur nga ministria ishte marrë vendim për të mos ju ekzekutuar pagat të njëjtëve.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, ka thënë se në ministri këta punëtorë kanë ekzistuar vetëm në evidencë të pagave dhe se nuk kanë pasur asnjë kontakt tjetër të tyre.

“Kam kërkuar nga Zyra e Burimeve Njerëzore këtu dhe nga Sekretari i Ministrisë së Arsimit që të na japë të dhënat se kush janë këta zyrtarë dhe pse nuk paraqiten në punë. Më kanë njoftuar që janë zyrtarë të cilët punojnë në Ministri të Arsimit, gjegjësisht paguhen si rezultat i marrëveshjes së Brukselit dhe se nuk kanë të dhëna të sakta. Ka ekzistuar evidenca me emra, porse të njëjtit asnjëherë nuk janë paraqitur në punë. Ne kemi kërkuar që të kontaktohen dhe të ftohen për të kërkuar specifikisht nga ata se pse nuk lajmërohen në punë. Nga zyrtarët këtu në ministri më është thënë se një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i kemi kontaktet edhe në numrat që janë provuar kontaktet që i kanë vendosur ka qenë e vështirë t’i kontaktojnë sepse nuk janë lajmëruar. Mandej i kemi ndaluar pagesat edhe në një kohë shumë të shpejtë të 32 këta zyrtarë janë lajmëruar në ministri të Arsimit”, ka thënë ajo.

Këta punonjës janë të emëruar në pozita të ndryshme brenda departamenteve të ministrisë, mirëpo s’kanë përshkrim specifik të detyrave që është dashur t’i kryejnë.

“Tani është edhe një problem sepse nuk janë ditur të gjitha detajet e marrëveshjes në bazë të së cilës ata janë të punësuar. Unë akoma sot nuk i di specifikat. E di një pjesë - ajo që është publike - në bazë të dokumenteve që janë në ministri të gjitha janë akt-emërime, do të thotë është një akt-emërim i thjeshtë ku përmendet emri e mbiemri i personit i cili është i caktuar të punojë në Ministri të Arsimit, por nuk ka detaje për përgjegjësitë dhe detyrat e punës. Të paktën ne këtu në ministri nuk i kemi gjetur një kontratë të punës, një përshkrim të detyrave specifike”, ka shtuar ajo.