Basketboll

Prishtina mposhtet nga skuadra që nuk e kishte asnjë fitore

Sigal Prishtina

Keila Coolbet nuk e kishte asnjë fitore në ligën ndërkombëtare të basketbollit, ENBL.

Por pas shtatë humbjeve rresht, Keila e Estonisë të martën mbrëma e shënoi fitoren e parë. E mposhti Sigal Prishtinës në Estoni me rezultatin 92:90.

Skuadra kosovare e pësoi humbjen e katërt. Ndërkohë i ka edhe katër fitore në “European North Basketball League”.

Rezultati i së martës vetëm e dëshmon krizën e thellë të cilën po e kalon skuadra prishtinase. Pos telasheve organizative, Prishtina po përballet me humbje të shpeshta.

Ndeshja e së martës kishte fund dramatik. 1:17 minuta para fundit, Kahlil Dukes i Prishtinës shënoi për epërsinë 88:87. Pikë të tjera nuk u shënuan deri 24 sekonda para fundit, kur estonezët kaluan në epërsi 89:88. Dukes shënoi sërish dy pikë për 90:89, katër sekonda para fundit. Dhe fare në fund vendasit shënuan për tri pikë për fitoren 92:90. Madje koshi u shënua nga pozitë shumë e vështirë.

Prishtina e fitoi çerekun e parë me rezultat 25:17. Keila reagoi në çerekun e dytë, që përfundoi 27:16. Pas çerekut të tretë të barabartë, 30:30, fituesi u caktua pas dramës në sekondat e fundit.

Dukes e përfundoi ndeshjen me 30 pikë. 23 i shënoi Deondre Burns, kurse Adrio Bailey i kishte 17. Prishtina në përbërje i kishte vetëm tetë lojtarë. Pesë prej tyre ishin amerikanë.

Menjëherë të enjten Prishtina luan ndeshje të rëndësishme për Kupë të Kosovës.