Basketboll

Peja mposht bindshëm Yllin

Dardan Berisha

GO+ Peja ka regjistruar fitore bindëse të dielën ndaj Golden Eagle Yllit. 

Pas disfatës që e pësoi nga Trepça në xhiron e kaluar, pejanët fituan thellë, 82:63, në “Karagaçi” ndaj skuadrës suharekase, që ishte vendëse. 

Ndeshja e zhvilluar të dielën ishte e fundit e xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në basketboll. 
Vetëm fillimi i ndeshjes ishte i mirë për Yllin. Më pas Peja e mori kontrollin dhe nuk lejoi befasi. 
Në pjesën e parë pejanët krijuan epërsi prej shtatë pikëve, 44:37. 

Me rezultatin 16:14, ekipi pejan e fitoi çerekun e tretë, ndërsa deri në fund të ndeshjes vetëm e rrit epërsinë. 

Peja tani ka shtatë fitore e dy disfata sa edhe Bashkimi, derisa Ylli e pësoi disfatën e shtatë. Mbetet me vetëm dy fitore. 

Më i miri te “verdhezinjtë” ishte Tajh Green me dyshifror të dyfishtë prej 15 pikëve, 17 kërcimeve e një asistimi. 

Jordan Johnson kontribuoi me 16 pikë, gjashtë asistime e tri kërcime.  Musab Mala pati 16 pikë, ndërsa Arti Hajdari i shtoi 10 të tjera. 

Kapiteni Dardan Berisha e mbylli ndeshjen me nëntë pikë. 

Trevon Allen ishte më i dalluari te Golden Eagle Ylli me 20 pikë, pesë kërcime e dy asistime.