Basketboll

Mala udhëheq Pejën drejt fitores së madhe në Prishtinë

Musab Mala

Musab Mala e ka udhëhequr skuadrën e Pejës drejt fitores së madhe ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet.

Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë, Pejë fitoi me rezultat 82:78. Ndeshja i takoi xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Fundori Mala e përfundoi ndeshjen me 22 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. Nuk e kishte asnjë top të humbur, ndërsa e kishte një top të rrëmbyer. Te Peja u dallua edhe qendra Logan Routt me 19 pikë e 11 kërcime. Oshowen Williams e përfundoi ndeshjen me 14 pikë, nëntë asistime e tetë kërcime. Ndërkohë Tajh Green i kishte 16 pikë e pesë kërcime.

Te Prishtina paraqitjen më të mirë e kishte Adrio Bailey. Ai i realizoi 25 pikë e nëntë kërcime. 13 pikë i kishte Kahlil Dukes, kurse 12 Valmiir Kakruki.

Çereku i parë i ndeshjes ishte i barabartë, kurse në të dytin Prishtina bëri shkëputje prej shtatë pikësh. Pas pjesës së parë rezultati ishte 42:34 në të mirë të skuadrës vendase. Peja shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 26:15. Kështu pas 30 minutave lojë rezultati ishte 60:57 në të mirë të pejanëve. Në çerekun e katërt skuadra e verdhë u shkëput deri në dhjetë pikë, ndërsa ia doli ta mbajë epërsinë deri në fund, me gjithë presionin e rritur të Prishtinës.

Për Pejën është fitorja e dhjetë këtë edicion. I ka edhe nëntë humbje. Me 29 pikë e mban vendin e tretë. Prishtina i ka 27 pikë në vendin e gjashtë.  27 pikë i ka edhe Ylli në të pestin. Prishtina e pësoi humbjen e 11-të, ndërsa mbetet me tetë fitore.