Me 21 pikë e shtatë kërcime, Isaiah Cousins e ndihmoi Bashkimin e Prizrenit të debutojë me fitore të madhe në Evropë.
Prizrenasit e përkrahur nga tribunat, të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” mposhtën gjigantin polak të basketbollit, Anwil Wloclawek, me rezultat 80:75.
Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Anwilit i takoi raundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Ishte ndeshja e parë, kurse ajo e kthimit zhvillohet pas një jave në Wloclawek të Polonisë.
Amerikani Cousins ka thënë se Bashkimi tregoi karakter të fortë ndaj klubit të madh polak.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, pasi në grup ka lojtarë shumë të mirë individualë dhe me gjatësi. Por ne treguam karakter duke luajtur fort, duke luftuar për njëri-tjetrin dhe kemi besuar se mund të fitojmë”, ka thënë Cousins për KOHËN të enjten.
Anwili është prej skuadrave më të mëdha në FIBA Europe Cup. Në vitin 2023 e kishte fituar këtë garë.
“Anwili gjithmonë ka shfaqur nivel të lartë të basketbollit. Është klub shumë mirë i organizuar dhe ka shumë eksperiencë”, është shprehur ai.
Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën grupore të FIBA Europe Cup, ku është Trepça. Pos kampiones kosovare Trepçës, janë edhe PAOK-u grek dhe Braunschweigu gjerman.
Cousins ka besim se Bashkimi mund ta fitojë edhe ndeshjen kthyese.
“Do të përpiqemi ta luajmë lojën tonë ashtu siç bëmë në Prizren. Do të jetë një ndeshje e vështirë me atmosferë të mirë. Por, ne do të fokusohemi vetëm në parket dhe do t’i qasemi lojës në mënyrë profesionale. Do të shkojmë të motivuar për kalim tutje. Nuk do ta kemi të lehtë, por ne do të mundohemi ta japim maksimumin tonë. Do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë”, ka thënë lojtari më i mirë i ndeshjes së parë në Prizren.
31-vjeçari me përvojë në basketbollin evropian u prezantua te Bashkimi më 5 gusht.
Në fakt, Bashkimi në përbërje ka shumë lojtarë të huaj. Janë edhe bartësit e lojës së Bashkimit. Krahas Cousinsit shkëlqyen edhe basketbollistët e tjerë amerikanë.
Jeremiah Bailey e përfundoi ndeshjen me 16 pikë e pesë kërcime, ndërsa Kyan Anderson i kishte 13 pikë e shtatë asistime. Amerikani tjetër, De’Quan Lake, i kishte gjashtë pikë e shtatë kërcime. Hise në fitoren e madhe kishin edhe vendorët. Lejson Zeqiri i shënoi tetë pikë, Valon Bunjaku pesë, Jan Palokaj shtatë e Meriton Ismaili tri.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne si ekip, dhe fitorja ndaj një kundërshtari si Anwil na jep motivimin e duhur për ndeshjen e radhës në Poloni, ku do të shkojmë me besim dhe me qëllimin për të marrë edhe atje një rezultat pozitiv”, ka thënë Bunjaku.
Ai premton maksimumin për të siguruar kalimin tutje.
“Jemi te vetëdijshëm që kualifikimi nuk vjen lehtë, sidomos kur luan në një terren të vështirë si ai në Poloni. Fitorja e parë na ka dhënë motiv, por në ndeshjen kthyese duhet edhe më shumë përqendrim, disiplinë dhe më shumë sakrificë. Çdo detaj do të jetë vendimtar. Ne duhet të hyjmë me qëllim të qartë dhe të japim gjithçka nga vetja, të luajmë me zemër dhe të mbrojmë avantazhin me mençuri. Vetëm kështu mund të sigurojmë kalimin tutje”, është shprehur Bunjaku.