Basketboll

Dy njoftime për reprezentuesin e Kosovës brenda pak minutash

Malcolm Armstead

Vetëm gjysmë ore pasi GO+ Peja njoftoi për largimin e reprezentuesit të Kosovës, Malcolm Armstead, nënkampioni i Kosovës, Bashkimi, bëri tjetër njoftim për të. 

Pejanët njoftuan të enjten mbrëma se kanë ndërprerë bashkëpunimin me Armsteadin, pas disfatës shokuese që e pësuan nga Bora në xhiron e 10-të në Superligën e Kosovës. 

“GO+ Peja dhe Malcolm Armstead kanë ndarë rrugët, basketbollisti nga sot nuk vazhdon të jetë më pjesë e klubit tonë”, ka shkruar klubi pejan. 

Gjysmë ore më vonë, Bashkimi bëri njoftim tjetër. 

“Mirë se vjen, Malcolm Armstead”, ka shkruar Bashkimi. 

Armstead luajti për Kosovën më 30 nëntor në ndeshjen e parë të fazës parakualifikuese për “Eurobasket 2029” ndaj Shqipërisë. 

I pati dy pikë, dy kërcime e shtatë asistime në fitoren 99:84.