Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pse Vëllaznimi largohet nga Superliga e basketbollit përkundër fitores?

44 min. më parë / 8 pri 2026 21:32 Nga: Arsim Maxhera
skenari

Te Vëllaznimi i Gjakovës ishin të sigurt se me fitore ndaj Pejës, në xhiron e fundit, do ta siguronin mbetjen në Superligën e Kosovës në basketboll. Për këtë foli të martën edhe kapiteni i skuadrës gjakovare, Atik Koshi.

“Me fitore mbesim në ligë, ndërsa për plejof na duhet që të humbin edhe Rahoveci edhe Prishtina, pos që të fitojmë ne”, kishte deklaruar Koshi për KOHËN, të martën.

Vëllaznimi vërtet fitoi. Por nuk siguroi mbetjen në Superligë.

Gjakovarët fituan 88:82 ndaj Pejës në “Shani Nushi”, të mërkurën mbrëma.

FBK-ja dha skenarët se kush shpëton e kush bie, varësisht nga rezultatet, pak orë pa nisur ndeshjet vendimtare të xhiros së fundit, përkatësisht të 28-të. Në fund doli skenari 2: Vëllaznimi e Rahoveci 029 fituan, ndërsa Sigal Prishtina humbi.

Kështu të tri skuadrat përfunduan me nga 38 pikë. Prishtina u rendit e gjashta dhe luan në plejof, Rahoveci 029 përfundoi i shtati dhe mbetet në Superligë, ndërsa Vëllaznimi përfundoi i teti dhe bie nga Superliga.

FBK-ja ka qartësuar se në një situatë të tillë, kur tri skuadra kanë pikë të barabarta, shikohet bilanci i atyre i skuadrave në ndeshjet e ndërsjella. Pra krijohet “mini-tabelë” e tri skuadrave.

Prishtina në ndeshjet me Rahovecin 029 dhe Vëllaznimin ka pesë fitore e tri humbje. Rahoveci 029 ka katër fitore e katër humbje. Dhe Vëllaznimi në ndeshjet me Prishtinën dhe Rahovecin 029 i ka tri fitore e pesë humbje. Rrjedhimisht edhe mbeti i fundit dhe largohet nga Superliga.

Trepça e Bashkimi përfundojnë në pozitat një e dy dhe kalojnë direkt në gjysmëfinale. Bora e pozitës së tretë luan me Prishtinën e vendit të gjashtë në çerekfinale të plejofit. Në çerekfinalen tjetër përballen Golden Eagle Ylli i vendit të katërt dhe Peja e vendit të pestë.

Këtë edicion skuadra e vendit të parafundit nuk luan në plejaut.

Në stinorin e rregullt ka mbetur të zhvillohet vetëm edhe ndeshja mes Bashkimit e Borës, që është të enjten. Por renditja në tabelë nuk ndryshon më.

Prishtina në plejof megjithë humbjen e thellë nga Trepça

1 o. më parë / 8 pri 2026 21:07
Sigal Prishtina

Ndonëse humbi 113:80 nga Trepça në Mitrovicë në kuadër të xhiros së fundit, Sigal Prishtina ka siguruar plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll.

Fati i Prishtinës varej nga rezultatet e ndeshjeve tjera të së mërkurës. Por pas fitoreve të Vëllaznimit dhe Rahovecit 029, këto skuadra, bashkë me Prishtinën, përfunduan me nga 38 pikë. Dhe Prishtina përfundoi e gjashta, pozitë që ia siguron plejofin. Rahoveci 029 përfundoi i shtati dhe siguroi mbetjen në Superligë. Vëllaznimi mbeti i teti dhe bie nga Superliga.

Trepça shumë më herët ka siguruar pozitën e parë dhe shënoi tjetër fitore rutinore.

Vëllaznimi fiton por bie nga Superliga

1 o. më parë / 8 pri 2026 21:05
Vëllaznimi

Vëllaznimi ka fituar 88:82 ndaj Pejës, të mërkurën mbrëma në “Shani Nushi” në Gjakovë.

Ndeshja i takoi xhiros së fundit të stinorit të rregullt të Superligës. Dhe fitorja doli të jetë e pamjaftueshme për Vëllaznimin. Pas fitores së Rahovecit 029 ndaj Yllit në Suharekë, ndeshje që përfundoi pak minuta më vonë, u bë e qartë që Vëllaznimi mbetet i fundit në Superligë dhe bie në kategorinë e dytë.

Në fakt para ndeshjes gjakovarët ishin të bindur se me fitore mbesin në Superligë. Por FBK-ja njoftoi për skenarët pa nisur ndeshjet dhe bëri të qartë se Rahoveci 029 me fitore siguron mbetjen në Superligë.

Vëllaznimi përfundoi i teti me 38 pikë, sa i kanë edhe Sigal Prishtina në vendin e gjashtë dhe Rahoveci 029 në vendin e shtatë. Peja në plejof starton prej pozitës së pestë. Në çerekfinale do të përballet me Golden Eagle Yllin e vendit të katërt. 

Jericole Hellems shkëlqeu te Vëllaznimi me 22 pikë, tetë kërcime e tetë asistime.

Te Peja më i miri ishte Cesare Edwards me 26 pikë e shtatë kërcime.

Rahoveci 029 fiton dramën në Suharekë, dërgon Vëllaznimin në Ligën e Parë

1 o. më parë / 8 pri 2026 20:52
Rahoveci

Rahoveci 029 ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Golden Eagle Yllit dhe ka siguruar mbetjen në Superligë.

Me fitoren e së mërkurës mbrëma në Suharekë, Rahoveci 029 ka siguruar mbetjen në Superligë, përkatësisht përfundon në vendin e shtatë. Ndërkohë nga Superliga largohet Vëllaznimi i Gjakovës.

Vëllaznimi ka mposhtur Pejën në xhiron e fundit, por fitorja nuk i mjaftoi.

Sigal Prishtina përfundoi e gjashta, Rahoveci 029 i shtati dhe Vëllaznimi i teti.

Ndeshja mes Yllit e Rahovecit 029 u vendos vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave. Në kohën shtesë rahovecasit i shënuan 14 pikë dhe i pësuan tetë për fitore 89:83 në fund.

Pas 40 minutave lojë rezultati ishte 75:75. 

Suharekasit dominuan në çerekun e parë. Pas çerekut të dytë të barabartë, mysafirët u kthyen në çerekun e tretë 33:20. Çereku i katërt ishte dramatik, por nuk dha fitues.

Në vazhdimin prej pesë minutave, Rahoveci 029 e deshi më shumë fitoren dhe siguroi mbetjen në Superligë.

Kentrell Pullian u dallua te Rahoveci 029 me 25 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime.

Scott Bamforth i kishte 18 pikë, dhjetë asistime e gjashtë kërcime te Ylli, që do të luajë në çerekfinale të plejofit.

Vëllaznimi fiton, e pret rezultatin e ndeshjes në Suharekë

1 o. më parë / 8 pri 2026 20:44
Vellaznimi

Vëllaznimi e ka fituar ndeshjen e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Të mërkurën mbrëma në Gjakovë, Vëllaznimi e mposhti Pejën me rezultat 88:82.

Por skuadra gjakovare ende nuk e ka të sigurt mbetjen në Superligë. Për këtë i duhet që Ylli të fitojë ndaj Rahovecit 029. Ndeshja në Suharekë ka shkuar në vazhdime.

Fund dramatik i Superligës, Ylli – Rahoveci 029 në vazhdime

1 o. më parë / 8 pri 2026 20:41
Scott  Ylli - Rahoveci

Stinori i rregullt i Superligës në basketboll po mbyllet në mënyrën më dramatike të mundshme.

Pas 40 minutave lojë në ndeshjen Golden Eagle Ylli – Rahoveci 029 rezultati është i barabartë, 75:75.

Prej rezultatet të kësaj ndeshje varet edhe kush bie nga Superliga e kush luan në plejof nga pozita e gjashtë.