Auto

Xiaomi do të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e veturave elektrike

Kompania kineze Xiaomi synon të prodhojë vetura elektrike dhe këtë do ta bëjë në fabrikën e saj, të cilën do ta ndërtojë në periudhën e ardhshme, shkruan Autocar.

Mediat në Kinë po raportojnë se faza inxhinierike e veturës së parë elektrike të Xiaomit ka përfunduar, se integrimi i softuerit të automjetit po përparon me shpejtësi dhe do të përfundojë deri në mes të tetorit. Hapi tjetër për kompaninë është fillimi i planifikimit të prodhimit.

Burime të mirëinformuara pohojnë se Xiaomi nuk do të blejë objektin ekzistues të BAIC Group siç u spekulua më parë dhe nuk do të punojë me OEM, por se vendimi është marrë për të ndërtuar fabrikën e saj.

Xiaomi është një “lojtar i ri” në industrinë e veturave. Planet e saj për prodhimin e një veture elektrike i ka shpallur në mars të vitit 2021 dhe realizimi i këtyre planeve pritet në vitin 2024.

Kompania planifikon të investojë 10 miliardë dollarë në këtë projekt gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme.

Kur të funksionojë plotësisht, fabrika prite të prodhojë 300 mijë automjete në vit. Fabrika do të ndërtohet në dy faza, pas së parës do të prodhojë 150 mijë vetura në vit, ndërsa faza e dytë do të vijojë pak më vonë. Qëllimi i Xiaomit është të fillojë t'u shesë klientëve veturën e parë elektrike në vitin 2024.