Nën presionin e konkurrencës, Volkswageni ka ulur ndjeshëm çmimet e modelit elektrik ID.4 në një fushatë të re promovuese në tregun kinez. Nga 26.700 dollarë, modeli tani mund të blihet për 20 mijë dollarë. Në Evropë, çmimi i tij sillet rreth 45 mijë dollarë.
Volkswageni ka ndërmarrje të përbashkët me partnerët kinezë që disa dekada përmes kompanive FAW-VW dhe SAIC-VW. Më saktësisht, bëhet fjalë për aleanca biznesi në rajone të ndryshme, prandaj emrat e modeleve nuk janë të njëjtë. Përderisa njëra kompani me sipërmarrje të përbashkët (FAW-VW) prodhon ID.4 CROZZ dhe ID.6 CROZZ, tjetra (SAIC-VW) shet ID.4 X dhe ID.6 X. Gjithashtu, kohët e fundit, pas të njëjtën strategji, ata lansuan sedanin elektrik ID.Next (SAIC-VW) dhe ID.7 Vizzion (FAW-VW).
Kur Volkswagen lansoi ID.4 në Kinë në janar 2021, vetura elektrike debutoi me një çmim prej 26.700 dollarë. Megjithatë, tregu më i madh në botë i veturave elektrike kohët e fundit është “manipuluar” për të tërhequr klientët, ndaj të cilëve VW nuk ka qenë imun.
Kjo lëvizje vjen pasi VW-SAIC uli ndjeshëm çmimet e modelit elektrik ID.3 në fillim të korrikut. Çmimet për këtë model kanë rënë me 16% në krahasim me origjinalin, dhe Volkswagen EV më i vogël në Kinë tani kushton rreth 17.500 dollarë. Muajin e kaluar, Volkswageni njoftoi se ID.3 kishte “mbledhur” mbi 10 mijë porosi pas çmimeve të reja të reduktuara. Gjithashtu, shitjet e ID.3 u rritën nga 1.819 njësi në qershor në 7.378 në korrik.
Megjithëse këto ulje çmimesh kanë rritur ndjeshëm shitjet e automjeteve elektrike për Volkswagen në Kinë, disa analistë të industrisë po shprehin shqetësim. Frika e tyre buron nga një analizë e kostove të prodhimit të Volkswagenit, e cila tregon se prodhuesi gjerman mund të operojë me humbje me këtë ulje agresive të çmimit. Një situatë e tillë mund të ndikojë potencialisht në fitimet e Volkswagenit dhe partnerëve të tij kinezë.
Nga ana tjetër, çmimet e veturave në Kinë janë më se të ulëta në krahasim me Evropën, pasi për çmimin e një ID.4 në Kinë në Kontinentin e Vjetër nuk mund të përballosh as një Polo.