Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Vetura e 10 miliontë e Dacias del nga fabrika

Vetura e 10 miliontë me markën Dacia doli nga fabrika në Mioveni të Rumanisë javën e kaluar. Automjeti jubilar ishte një kopje gri e modelit Duster.

Dacia filloi me prodhimin e veturave në gusht të vitit 1968 dhe modeli i parë që doli nga salla e fabrikës ishte Dacia 1100. Në fakt bëhet fjalë për një Renault 8 me emblemën e markës rumune, për prodhimin e së cilës kishte licencë, marrë nga francezët, shkruan AutoExpress.

Vitin e ardhshëm Dacia do të lansojë modelin 1300, bazuar në Renault 12. Rezulton se kjo veturë do të bëhet një model kyç për prodhuesin rumun në dekadat e ardhshme, pasi do të ndërtohet në variante të ndryshme dhe me përmirësime të caktuara për 35 vitet e ardhshme.

Blerja e kompanisë nga Renault Group më 1999 hapi një kapitull të ri në historinë e markës Dacia. Një epokë e re filloi më 2004 kur Logan u lansua, modeli i parë që u shfaq pas një ndryshimi të pronësisë.

Logan i ka mundësuar Dacias të depërtojë në shumë tregje të huaja në të cilat nuk ishte e pranishme deri atëherë.

Më 2005 u hap fabrika e parë jashtë Rumanisë në Marok. Kjo u pasua me zgjerimin e modeleve të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe ndërtimin e një fabrike tjetër në Marok.

Dacia hyri edhe në botën e veturave elektrike në vitin 2020, me lansimin e modelit Spring, i cili po ndërtohet në Kinë.

Sot, automjetet e këtij prodhuesi shiten në 44 vende, kryesisht në Evropë dhe Mesdhe.

Artikuj të ngjashëm