Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Tesla mund të humbë kontratën e furnizimit me ujë për ndërmarrjen gjermane

Tesla

Kompania amerikane e automjeteve elektrike, Tesla, mund të humbasë kontratën e furnizimit me ujë për impiantin e saj gjerman, nëse grupet mjedisore fitojnë një çështje gjyqësore që sfidon një licencë të dhënë furnizuesit të saj të ujit në një seancë dëgjimore që pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.

Gjykata administrative e Frankfurtit, Oder, do të dëgjojë më 4 mars një ankesë të paraqitur nga grupe lokale që pretendojnë se ministria e mjedisit të Brandenburgut kreu kontrolle të pamjaftueshme përpara se t'i jepte licencën ndërmarrjes Wasserverband Strausberg-Erkner (WSE).

Nëse grupet fitojnë, WSE-ja tha se duhet të anulojë kontratën e saj me Tesla-n.

Një zëdhënës i gjykatës tha se vendimi pritej ditën e seancës, raporton Reuters.

Elon Musk kishte shpresuar të kishte fabrikën në funksionim gjashtë muaj më parë. Pas vonesave, ai tha në tetor të vitit të kaluar se shpresonte ta vinte në funksion deri në dhjetor. Kompania nuk e ka përditësuar më tej orarin e saj për nisjen.

Grupet që parashtrojnë ankesën, Gruene Liga dhe Nabu, kanë frikë se 1.4 milionë metra kub ujë në vit që i nevojiten Tesla-s për fabrikën, e ngjashme me përdorimin e ujit nga një qytet me 30,000 banorë, do të shterin ujin e pijshëm në rajon.

Edhe Në Gjermani sërish protesta kundër Teslas, përplasen me policinë Auto Në Gjermani sërish protesta kundër Teslas, përplasen me policinë

Çështja gjyqësore është e ndarë nga procesi më i gjerë i licencimit që Tesla po kalon aktualisht për fabrikën.

Ministria është në fazën përfundimtare të miratimit të aplikacionit 13,500 faqesh të Tesla-s për të filluar prodhimin komercial, por do të marrë ende "disa kohë", tha një zëdhënës.

“Edhe nëse është pozitiv, vendimi do të ketë një numër treshifror faqesh, me shumë kushte dhe kërkesa”, tha zëdhënësi.