Një gjykatë në shtetin amerikan të Delaware ka anuluar marrëveshjen e pagesës prej 55.8 miliardë dollarësh e dhënë për Elon Musk më 2018 nga kompania e veturave elektrike Tesla, në të cilin ai është pronar vetë, shkruan BBC.
Padia u ngrit nga një aksioner i kompanisë, i cili argumentoi se ishte një mbipagesë.
Gjykatësja Kathaleen McCormick vendosi se miratimi i pagesës për Muskun nga bordi i Teslas ishte “thellësisht i gabuar”.
“Mos e inkorporoni kurrë kompaninë tuaj në shtetin e Delaware”, ka shkruar Musk në një postim në “X”, njohur më parë si Twitter, në pronësi të tij, pas vendimit.
Marrëveshja e pagesës ishte më e madhja ndonjëherë në historinë e korporatës, duke ndihmuar që Musku të bëhej një nga njerëzit më të pasur në botë.
Gjatë seancës njëjavore, bordi i Teslas argumentoi se marrëveshja ishte bërë për të siguruar që një nga sipërmarrësit më dinamikë në botë të vazhdonte t'i kushtonte vëmendjen kompanisë.
Por gjykata ka vendosur se “aksionerët e Teslas që votuan nuk ishin të mirëinformuar” dhe se Musku “kishte lidhje të gjera me personat e ngarkuar për të negociuar në emër të Teslas”.
“Duke pasur parasysh se gjykata zbuloi se Musku kishte kontrollin e bordit, është e vështirë të justifikosh një transaksion si ky”, ka thënë për BBC, Brian Quinn, një profesor në Shkollën Juridike të Kolegjit të Bostonit.
Në një vendim prej 201 faqesh, gjykatësja McCormick e quajti pagesën “shumë të pamatshme” që nuk ishte e drejtë për aksionerët.
Vendimi mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Delaware.