Tesla ishte e papërgatitur që punonjësit të ktheheshin masivisht në zyrë, thuhet në një hetim të kryer nga “The Information” të hënën, duke u potencuar se pati mungesë të vendeve për parkim, mungesë të tavolinave dhe WIFI të dobët.
Shumë punonjës të Teslas punuan nga shtëpia qëkur nisi pandemia e koronavirusit, ndërsa me kohë, numri i tyre u dyfishua, duke bërë që kur u kthyen në zyra, nuk pati hapësira të mjaftueshme. Në anën tjetër, kompania amerikane e veturave kërcënoi se punëtorët që nuk do të kthehen të punojnë në zyra, do të duhet të jepnin dorëheqje.
Kur punonjësit panë gjendjen, shumë prej tyre u detyruan të punonin nëpër pika të tjera të Teslas të shteteve të ndryshme, duke bërë qindra kilometra me veturë.
Tesla nuk iu përgjigj hulumtimit të mediumit.
Më 31 maj, shefi i Teslas, Elon Musk, iu shkroi e-mail punonjësve duke iu kërkuar të kthehen në zyra.
“Të gjithëve në Tesla u kërkohet të kalojnë në zyrë të paktën 40 orë në javë. Nëse nuk paraqiteni, supozohet se keni dhënë dorëheqje”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Musk.