Auto

Sulmet e Houthit në Detin e Kuq detyrojnë Teslan në Berlin të ndalojë prodhimin për dy javë

Kompania e veturave Tesla do të pezullojë shumicën e prodhimit të makinave në fabrikën e saj në Berlin nga 29 janari deri më 11 shkurt, për shkak të mungesës së pjesëve, si pasojë e ndërrimit të rrugëve të transportit pas sulmeve të rebeleve të grupit Houthi ndaj anijeve ndërkombetare në Detin e Kuq.

Ndalimi i pjesshëm i prodhimit është dëshmi e krizës në Detin e Kuq, e nisur nga militantët Houthi, që mbështeten nga Irani, e që po sulmojnë anijet si mbështetje për grupin islamik palestinez Hamas, shkruan Reuters.

Prodhuesi amerikan i veturave elektrike është kompania e parë që bëri të ditur ndalimin e përkohshëm të prodhimit për shkak të sulmeve ndaj anijeve teksa shumë kompani, duke përfshirë Geely, prodhuesi i dytë më i madh i veturave në Kinë për nga shitjet, dhe kompania suedeze e rregullimit të shtëpive Ikea, kanë paralajmëruar për vonesa në dërgesa.

“Konfliktet e armatosura në Detin e Kuq dhe ndërrimet në rrugët e transportit midis Evropës dhe Azisë përmes Kepit të Shpresës së Mirë kanë gjithashtu një ndikim në prodhimin në Gruenheide”, thuhet në deklaratën e kompanisë Tesla.

Tesla tha në deklaratë se prodhimi do të rifillonte plotësisht më 12 shkurt teksa nuk u bë e ditur për detaje të mëtejshme se cilat pjesë u mungonin ose se si do të rivendosnin prodhimin deri atëherë.

Sulmet nga militantët Houthi, tëmbështetur nga Irani kanë detyruar kompanitë kryesore të transportit në botë të shmangin Kanalin e Suezit, rruga më e shpejtë detare nga Azia në Evropë, e cila përbën rreth 12% të trafikut detar global.

LEXO EDHE: