Hulumtuesit në Australi po shpresojnë të ndikojnë në parandalimin e aksidenteve në trafik me një test të ri të gjakut që do të tregojë nëse shoferi është i lodhur nga pagjumësia.
Po që se del i suksesshëm, ekipi në Universitetin Monash në Melbourne do t’ia sigurojë policisë një mjet për t’i ndjekur penalisht shoferët që janë rrezik për të shkaktuar aksidente, si pasojë e lodhjes. Kjo pajisje pritet të dëshmojë se të pasurit më pak se pesë orë gjumë e bën një shofer po aq të rrezikshëm sa dikush që tejkalon kufirin e alkoolit, shkruan “Auto-Express”.
Ekipi i shkencëtarëve australianë deri tash ka identifikuar pesë shenja në qarkullimin e gjakut, që tregojnë nëse personi ka qenë zgjuar për 24 orë, me saktësi prej 99 për qind. Gjithsesi, shkencëtarët thonë se duhen më shumë studime që këta sinjalizues të përdoren për të zbuluar numrin e saktë të orëve të gjumit që një person ka bërë.
Një nga shkencëtarët hulumtues, profesor Shantha Rajaratnam ka thënë për “The Guardian” se testet mjekoligjore për të bërë përcaktime të tilla mund të jenë në dispozicion për laboratorët brenda dy vjetësh, ndërsa për t’u pajisur policia me to mund të duhen disa vite.
“Me investimet e duhur, mendoj se brenda pesë vjetësh do të jemi në gjendje t’i zbatojmë testet e bazuara në biomarker – të paktën në industritë kritike për sigurinë si kamionët, aviacioni komercial dhe miniera”, ka thënë ai.
Aktualisht shumica e vendeve të botës nuk janë duke marrë në konsideratë teste të lodhjes, por në Mbretërinë e Bashkuar kanë konfirmuar se po marrin shënim nga hulumtimi australian.