Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Prodhuesi i veturave kërkon rinegocimin e Brexitit, kërcënon me humbjen e vendeve të punës

Një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë të veturave ka kërkuar nga Qeveria e Britanisë së Madhe që të rinegociojë një pjesë të marrëveshjes së Brexitit duke thënë se mund të shpije në mbylljen e fabrikave në Mbretërinë e Bashkuar dhe do t’i rrezikojë mijëra vende pune.

Prodhuesi i katërt më i madh i botës, që prodhon edhe vetura të Citroenit dhe Peugeotit, dy vjet më parë pati thënë se e ardhmja e fabrikave për prodhim të veturave elektrike në Ellesmere Port dhe Luton, është e sigurt. Megjithatë, tani kjo kompani nuk mund t’u përshtatet rregullave të tregtisë së Brexitit që kërkojnë që 45 për qind e pjesëve të jenë nga Britania e Madhe ose Bashkimi Evropian deri më 2024, pas shtrenjtimit të produkteve gjatë pandemisë dhe krizës energjetike.

Kjo nënkupton që veturat elektrike të prodhuara në Ellesmere do të përballen me tarifa prej 10 për qind kur të eksportohen në Evropë nga viti i ardhshëm, sepse s’kanë produkte të prodhuara në Britani, duke rrezikuar të ardhmen e fabrikës, ka deklaruar kompania, raporton TheGuardian.

Ellesmere Port, që pritet të nisë prodhimin e veturave elektrike më vonë gjatë vitit, ka të punësuar 1000 persona, ndërsa 1200 janë në Luton ku prodhohen Vauxhalli dhe Fiati.

Mijëra të tjerë janë të punësuar në bizneset që lidhen me këto fabrika.

Industria e automobilizmit për kohë të gjatë ka paralajmëruar se po përballet me telashe si pasojë e marrëveshjes së Brexitit, sepse kostoja e baterisë zë përqindje të konsiderueshme në vlerën e veturave elektrike. Shumica e baterive për vetura elektrike prodhohen në Azi dhe fabrika të reja në Evropë s’mund të ndërtohen në kohë për të përmbushur kriterin e Brexitit.

Është hera e parë që një kompani kërkon rinegocimin e marrëveshjes së Brexitit.

Edhe Prodhuesit evropianë të automjeteve i drejtohen BE-së për shpëtim Auto Prodhuesit evropianë të automjeteve i drejtohen BE-së për shpëtim

Shefat e kompanisë pritet që të mërkurën gjatë ditës të takohen me sekretaren e Punës, Kemi Badenoch.

Kompania dëshiron të rishikohen edhe marrëveshjet për pjesët e prodhuara në Serbi dhe Marok.

Marrëveshja e tregtisë pritet të rinegociohet në vitin 2025 si pjesë e paktit origjinal në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, të nënshkruar në dhjetorin e 2020-s.