Auto

Në Kosovë, vetëm 62 vetura elektrike

Foto: Reuters

Nga afro 395 mijë mjete me të drejtë qarkullimi në Kosovë, vetëm 62 prej tyre janë elektrike, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Të mërkurën, një analizë që ka dalë nga përdorimi i të dhënave të Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (Entso-E) dhe Agjencisë Mjedisore të Evropës, doli se Kosova ishte vetëm një nga dy vendet ku përdorimi i një veture elektrike do të shkaktonte ndotje më të madhe të ajrit se një veturë me benzinë. Krejt kjo për shkak të varshmërisë së madhe të Kosovës nga përdorimi i thëngjillit për energji elektrike. Përderisa veturat elektrike shihen si armë e botës për të mposhtur ndotjen dhe ngrohjen globale, në Kosovë rezultati është negativ. Vetëm edhe Polonia kishte bilanc të tillë.

Ndërkaq, të enjten MPB-ja në një përgjigje për KOHËN ka njoftuar se vetëm 62 mjete me të drejtë qarkullimi në Kosovë, janë modele elektrike. Prej 62 sosh, 14 janë të brendit Peugeot, si brendi më i përhapur në Kosovë në këtë sektor. Pas saj, vjen Mistubishi me 9, ndërsa Volksageni e Zhidou me nga 6. Lideri botëror me vetura elektrike, Tesla, në Kosovë është i pranishëm me vetëm katër njësi.

Sa i përket të dhënave për vitin 2021, janë vetëm 16 vetura elektrike që janë regjistruar për herë të parë.

Vetura tradicionale, me djegie të brendshme, me të drejtë qarkullimi në Kosovë janë saktësisht 394 mijë e 831, sipas MPB-së.

KOHA raportoi muajin e shkuar për mungesën e strategjisë shtetërore për të shmangur varësinë nga qymyri.