Arbëri

Qeveria pa strategji për energjinë – vazhdon varësia nga qymyri

Ekzekutivi ende nuk ka asnjë strategji për të shmangur varësinë nga qymyri. Ministria e Ekonomisë, e cila është në fazë fillestare të hartimit të strategjisë, nuk ka treguar se cila do të jetë rruga e dekarbonizimit. Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, thotë se futja e infrastrukturës së gazit do të ishte aset i mirë për reduktimin e emetimeve kundër ndryshimeve klimatike

Qeveria Kurti as pas gjashtë muajsh të ardhjes në pushtet nuk ka hartuar Strategjinë e re të Energjisë dhe Planin Kombëtar për energji dhe klimë. Përkundër kësaj, ka hequr nga tavolina njërin nga opsionet e mundshme në rrugën e transicionit me gaz, siç ishte projekti i gazpërçuesit.

Ekzekutivi ende nuk ka as një strategji për dalje nga varësia e qymyrit. Edhe pse Ministria e Ekonomisë është në fazën fillestare të hartimit të strategjisë, nuk ka treguar se cila do të jetë rruga e dekarbonizimit.

Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, thotë se futja e infrastrukturës së gazit do të ishte aset i mirë për reduktimin e emetimeve kundër ndryshimeve klimatike.

“Ne konsiderojmë se strategjia e energjisë duhet nisur nga fakti i dekarbonizimit. Nëse jemi të pajtimit për destinacionin, atëherë të gjithë skenarët janë në tavolinë, edhe skenari i gazit si skenarë tranzicionalë derisa të largohemi plotësisht nga qymyri. Qeveria duhet ta kuptojë se nëse refuzon një projekt të tillë, të ofrojë një alternativë, pra cila është alternativa që do të shkojmë a do të jenë investime të reja në qymyr, për të cilat ne jemi shumë skeptikë”, ka thënë Abazi.

Ka thënë se shpreson që strategjia e re e energjisë duhet të niset nga fakti që po shkojmë drejt dekarbonizimit.

“Ajo që është thënë në deklaratat e ministrisë që jemi drejt dekarbonizimit duhet të kthehet në strategji të energjisë, e dyta konsiderojmë se duhet të nisën nga efiçienca e energjisë do të thotë nga investimet që duhet bërë në efiçiencë dhe cili është potenciali që duhet bërë për energji. Pastaj investimet në burime të ripërtërishme, reformimi i skemës aktuale për burime të ripërtërishme dhe tërheqja e investimeve të huaja në këtë drejtim”, ka theksuar ai.

Edhe konsumatorët me vetëkonsum, sipas tij, është elementi i tretë që duhet të jetë pjesë e strategjisë, si dhe bashkimi energjetik me Shqipërinë dhe gjithë rajonin.

Lidhja e Kosovës në projektet rajonale të furnizimit me gaz natyror është paraparë edhe në Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026. Në këtë strategji thuhet se projekti i gypit Trans Adriatik (TAP) i ka krijuar Kosovës mundësi të mëdha për t’u përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror.

“Edhe ne e kuptojmë rëndësinë që duhet marrë në bazë të të dhënave, një numër i studimeve ka treguar se gazi është një karburant i rëndësishëm në rrugën e dekarbonizimit dhe largimin e qymyrit, dhe për këtë i bëjmë thirrje Qeverisë që ta konsiderojë në strategjinë e energjisë, por natyrisht duhet pasur parasysh që po flasim për një kohë të shkurtër dhe duhet gjithçka të jetë ekonomikisht variabile dhe të ketë kuptim ekonomik”, ka theksuar Abazi.

KOHA ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë informata se në çfarë faze është hartimi i strategjisë për energji dhe se a janë përcaktuar pikat kyç se çfarë do të përmbajë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së hënës.

Ndërkohë, ministrja Artanë Rizvanolli në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ditë më parë ka thënë se “nëse është më mirë gazi se djegia e thëngjillit apo transicion drejtpërdrejt te burimet e ripërtërishme të energjisë duhet të vendoset në muajt e ardhshëm”.

Rizvanolli ka thënë se çështja e infrastrukturës së gazit ka dalë si rrjedhojë e një studimi të MCC-së të para 5-6 vjetësh se energjia në Kosovë është pengesë e zhvillimit ekonomik.

Ministrja e Ekonomisë ka shtuar se ka qenë presion për kohën për të marrë vendim tash në mënyrë që mjetet të shfrytëzohen vitin e ardhshëm. Megjithatë, ka thënë se vendimi s’është përfundimtar për të refuzuar përgjithnjë gazin.

“Duhet qartësuar. Vendimi që kemi marrë dje s’është vendim final për të mos ndërtuar infrastrukturën e gazit, por që këto mjete të shfrytëzohen në një investim që ne jemi të bindur që duhet të ndodhë. Në fakt, granti i MCC-së s’ka qenë plani ta financojë gazsjellësin, por disa gypa të “Sharrcemit” dhe “Feronikelit” e të ketë input për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e termocentralit me gaz. Gypi nga Maqedonia ka qenë i planifikuar të vijë nga ana jonë me kredi. Kjo mundësi ende ekziston. Nëse vjen puna që ne ta bëjmë këtë, kjo do të jetë kur të jemi të bindur që është opsioni më i mirë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Edhe në programin qeverisës thuhet se Qeveria do t’i kushtojë rëndësi të veçantë fizibilitetit për mundësinë e zhvillimit të sistemit të gazit natyror.