Pavarësisht ankesave për rritje të çmimeve të energjisë dhe të produkteve bazë, qytetarët e Kosovës nuk kanë hezituar të investojnë në vetura. Vetëm gjatë vitit 2025, nga jashtë u futen mbi 44 mijë automjete, për të cilat u shpenzuan rreth 650 milionë euro, duke e bërë këtë produktin më të importuar në vend, pasuar nga karburantet
Rreth 650 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës vetëm vitin e kaluar në blerjen e veturave nga jashtë vendit, teksa janë importuar mbi 44 mijë të tilla.
Me gjithë ankesat për rritje të çmimeve të energjisë e produkteve bazë, sipas të dhënave të Doganës, veturat dhe derivatet janë produktet që janë importuar më së shumti më 2025.
Kjo mënyrë e të vepruarit nga konsumatorët, sipas sociologëve, lidhet me aspektin psikologjik të shpenzimeve.
Sociologu Genc Xërxa ka thënë se ndryshe nga shpenzimet e detyrueshme, si faturat komunale apo energjia elektrike, të cilat shpesh perceptohen si barrë financiare, blerja e një veture konsiderohet zgjedhje vullnetare që sjell kënaqësi të menjëhershme.
“Përzgjedhje e lirisë në vend të detyrimeve të ndryshme, të cilat i bëjnë faturat e ndryshme siç i bëjnë ato komunale. Ato krijojnë një kënaqësi të menjëhershme, këto, përzgjedhja e harxhimeve luksoze, në anën tjetër krijojnë atë prestigjin social, edhe nëse është më e shtrenjtë, ata nuk hezitojnë ta bëjnë, sepse me të ndihen shumë më mirë edhe emocionalisht edhe në mënyrë psikologjike”, ka thënë Xërxa.
Edhe
Nga kufizimi i moshës te standardi Euro 5, dilema të shumta për sigurinë dhe ndotjen
Xërxa ka thënë se veturat – sidomos ato luksoze – nuk janë vetëm mjet transporti, por edhe simbol identiteti e statusi social.
Sipas tij, edhe kur kostoja është e lartë, shumë qytetarë nuk hezitojnë të investojnë në to, pasi ndihen mirë emocionalisht dhe psikologjikisht.
“Mendohet se psikologjia e njeriut reziston ndaj harxhimeve të imponuara apo të detyrueshme, siç i kemi shpenzimet e ndryshme komunale, që varësisht nga inflacioni
dhe shtrenjtimi, sidomos të energjisë elektrike, njëfarë roli financiar familjar. Ndërsa për zgjedhjet e tjera vullnetare që vazhdimisht po na vijnë makina luksoze, tregojnë një lloj identiteti, një statusi social, prestigj apo një luks që shumica e individëve dëshirojnë të identifikohen. Ajo është përzgjedhja e tyre”, ka thënë ai.
E, të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi veturat e regjistruara në Kosovë gjatë 2024-s tregojnë se shumica prej tyre janë mjaft të vjetra.
Marka më e zakonshme, sipas Institutit ATLAS, është “Volkswagen”, me 155.377 vetura të regjistruara dhe moshë mesatare prej 19 vjetësh. Markat e tjera si “Opel” dhe “Fiat” kanë moshë mesatare edhe më të lartë - 20 vjet, ndërsa “Daimler Chrysler” kryeson me 22 vjet.
Edhe
Kosova s’e zbaton detyrimin për t’i liruar nga tarifa doganore automjetet me origjinë BE-në
Ndërkohë markat më të reja dhe ato elektrike po futen më ngadalë në treg.
Vetura elektrike “Tesla” janë vetëm 88 të regjistruara me moshë mesatare prej 4 vjetësh, ndërsa të markës kineze BYD - 77 me moshë mesatare prej 2 vjetësh.