Shefi Ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka thënë të dielën se prodhuesi amerikan i veturave elektrike dhe kompania e tij e raketave SpaceX po përballen me presion të konsiderueshëm inflacioni në lëndët e para dhe logjistikën.
Musk në një postim në Twitter u deklarua rreth perspektivës së normës së inflacionit dhe tha se kompanitë e tij nuk janë vetëm, duke ripërsëritur një artikull që thoshte se konflikti Ukrainë-Rusi i çoi çmimet e mallrave në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2008.
Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur çmimet e metaleve të përdorura në vetura. Ndërsa metalet nuk kanë qenë ende objektivi i sanksioneve perëndimore, disa transportues dhe furnizues të pjesëve të automjeteve po i shmangen mallrave ruse, duke ushtruar më shumë presion mbi prodhuesit e veturave që tashmë po përballen me mungesën e çipave dhe çmimet më të larta të energjisë.
Aksionet e Tesla-s, të cilat u mbyllën 5 për qind më të ulëta në 795,35 dollarë të premten, kanë humbur rreth 25 për qind nga viti i deritanishëm, raporton Reuters.
Prodhuesi i veturave elektrike javën e kaluar rriti çmimet e automjeteve të tij SUV Model Y të SHBA-së për rreth një mijë dollarë më shumë.