Auto

Krizë e re në industrinë e automjeteve, s’ka shoferë të mjaftueshëm

Kompania e veturave, Stellantis, po kërkon shoferë kamioni mes punonjësve të tyre për t’i dhënë fund problemit të shpërndarjes së veturave.

Stellantis u dërgoi email punonjësve dhe vendosi postera në disa prej fabrikave të tij duke u përpjekur të bindte punëtorët të hipnin pas timonit të një kamioni. Rreth 140 punonjës janë regjistruar tashmë.

Stellantis ia paguan shpenzimet çdo punëtori që do ta marrë patentë shoferin për kamion, shkruan Bloomberg.

Mungesa e shoferëve të kamionëve la mijëra vetura të bllokuara në fabrikën e Stellantis në Sochaux, Francë, në fund të vitit të kaluar, duke e detyruar kompaninë të parkojë shumë prej tyre në një aeroport të braktisur disa kilometra larg fabrikës.

Ndërkohë të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë edhe Renaulti, e cila ka nisur procesin e trajnimit të disa punonjësve të saj në kompaninë Adecco Group.

Nga ky problem preket edhe Volkswageni. Për këtë arsye prodhuesi më i madh evropian i veturave nuk është në gjendje t'u dorëzojë klientëve automjete të gatshme.

Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar problemet logjistike që filluan me pandeminë COVID-19 dhe vazhduan me mungesa të çipave.

E gjithë kjo ka ngadalësuar prodhimin ose në rastin e fundit dërgimin e automjeteve te klientët.