Prodhuesi suedez i veturave super-sportive paralajmëron se do të prezantojë një model të ri në panairin e veturave në Gjenevë vitin e ardhshëm.
Koenigsegg përdori ceremoninë për të hapur një sallon të ri në Melburn, Australi, për të njoftuar pasardhësin e Agera RS.
Është interesante se pasi modelet Agera RS dhe Regera hibrid të shiten jashtë, modeli i ri Koenigsegg është i vetmi aktualisht në dispozicion për shitje, transmeton ksp.
Skica nuk zbulon shumë për Koenigseggun e ri, por shihet se pjesa e pasme është e dizajnuar ndryshe në raport me dy veturat në fjalë.
Pritet që modeli i ri të jetë më i fortë dhe më i shpejtë se çdo veturë e mëparshme e prodhuar nga kompania e udhëhequr nga Christian von Koenigsegg dhe për këtë arsye më e shtrenjtë.
Përndryshe, Agera RS është zyrtarisht vetura serike më e shpejtë në botë që mund të kalojë ligjërisht në rrugë publike. Ai u prodhua në fund të vitit 2017, dhe arrin një shpejtësi mesatare prej 447.2 kilometra në orë.