Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Japonia i jep edhe një goditje Rusisë për veturat e përdorura

Autoritetet japoneze, si pjesë e një pakete të re sanksionesh, do të ndalojnë eksportin e veturave të përdorura në Rusi për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Vendimi për ndalimin e eksportit të veturave të përdorura, të cilat janë shumë të kërkuara në Rusi, ka për qëllim forcimin e efektivitetit të sanksioneve tashmë ekzistuese, raporton agjencia Kyodo.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, kritikoi vendimin e Rusisë për t'u tërhequr nga marrëveshja e grurit në një konferencë shtypi. Ai shtoi se Japonia do të monitorojë me kujdes pasojat e këtij vendimi në furnizimin global të ushqimit.

“Në bashkëpunim me vendet e G7 dhe komunitetin ndërkombëtar, Japonia do të nxisë Rusinë që të kthehet në marrëveshjen e grurit”, ka thënë Matsuno.

Eksportet japoneze në Rusi arritën në më shumë se katër miliardë dollarë në vitin 2022, që është një rënie prej 30 për qind në krahasim me vitin 2021.

Veturat, shumica e të cilave ishin të përdorura, përbënin më shumë se gjysmën e asaj shifre - rreth 2.2 miliardë dollarë.