Kompania koreano-jugore Hyundai ka konfirmuar se është duke zhvilluar një veturë elektrike për tregun evropian, e cila do të shitet me një çmim të përballueshëm, shkruan Autocar.
Hyundai nuk ka ndërmend të ndalojë shitjen e veturave me motorë me djegie të brendshme në Evropë deri në vitin 2035, gjë që është mjaft vonë duke pasur parasysh se shumica e rivalëve largohen nga motorët SUS në fund të dekadës apo edhe më herët.
Ndërkohë, kompania koreano-jugore po zhvillon ofertën e saj elektrike. Ioniq 6 u prezantua si rival i Tesla Model 3 dhe vjen pas crossover-it të vitit të kaluar Ioniq 5. Në vitin 2024 do të lansohet një SUV i madh Ioniq 7 me tre rreshta sediljesh.
Duke folur për Automotive News Europe, kreu i marketingut të Hyundai në Evropë, Andreas-Christoph Hofmann tha se zhvillimi i një automjeti elektrik më të qëndrueshëm po vazhdon në përgjigje të ligjeve gjithnjë e më të rrepta të emetimeve në Bashkimin Evropian. Ky model do të kushtojë rreth 20 mijë euro, çka kërkon Volkswageni për tre modelet e tij elektrike të nivelit fillestar që do të mbërrijnë në vitin 2025 me logot Volkswagen, Skoda dhe Cupra.
Hofmann pranoi se zhvillimi i një veture të vogël, veçanërisht asaj elektrike, është një detyrë e vështirë për shkak të kufizimeve të ndryshme. Gjithashtu, është e vështirë të fitosh nga vetura e vogla elektrike dhe pikërisht kjo është arsyeja që Hyundai i ka dhënë prioritet hedhjes në treg të tre modeleve më të mëdha Ioniq. Më i madhi prej tyre, Ioniq 7, është duke u ndërtuar kryesisht për SHBA, por do të shitet edhe në Evropë.
Edhe
Hyundai lanson sedanin e parë elektrik, me synim për ta rivalizuar Teslan
Hofmann tha se kjo nuk është e gjitha kur bëhet fjalë për vetura elektrike, sepse kompania planifikon të lansojë jo më pak se 11 modele para fundit të dekadës. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, automjetet elektrike përfaqësuan 16 për qind të shitjeve totale në Evropë, ku pjesa e Hyundait u rrit nga 1 në 4.7 për qind.
Ndërsa veturat elektrike janë kryesisht të lidhura me automjete me bateri, Hyundai është ndër të paktat kompani që besojnë se hidrogjeni ka ende një të ardhme. Megjithatë, pa investime të mëdha në infrastrukturë, veturat me qeliza karburanti si N Vision 74 Concept mbeten vetëm një ëndërr.