Kompania e veturave Dacia ka njoftuar se në fabrikën në Mioveni, Rumuni, ka prodhuar një milion njësi të motorit benzinë 0.9 TCe.
Prodhimi i këtij motori me kapacitet prej 90 kuajfuqi ka filluar para pesë vitesh, transmeton Koha.net. Këtë lloj motori, më shumë e posedojnë modelet e Dacias dhe Renaultit të tilla si Dacia Logan, Logan MCV, Sandero, Sandero Stepway si dhe Renault Clio dhe Twingo.
Në një deklaratë të shkurtër ritheksohet se kontributin për zhvillimin e këtij motori me tre cilindra kanë dhënë edhe 100 inxhinierë rumun.
Gjatë procesit të prodhimit të motorit janë angazhuar 3.700 punëtorë dhe duhet theksuar se rreth 80 për qind e motorëve të eksportuar është motori 0.9 TCe – njëri nga motorët më të popullarizuar në Renault-Nissan Group.
Motori 0.9 TCe përveç fabrikës në Rumuni, prodhohet edhe në fabrikën e Renaultit në Valladolid, Spanjë.