Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Në Çeki nis prodhimi i hiperveturës Bohema

Kompania çeke “Praga” ka njoftuar se ka filluar prodhimin e hiperveturës Bohema dhe se modelet e para do t'u dorëzohen klientëve në gjysmën e parë të këtij viti.

Hipervetura është me dy ulëse, e fuqizuar nga një motor 3.8-litërsh bi-turbo V6 nga GT-R i Nissan, i cili jep 700 kuaj fuqi. Motori shoqërohet me 6 shpejtësi. Gomat janë të llojit Pirelli Trofeo R. Është veturë e gatshme për gara.

Modeli Bohema peshon më pak se 1000 kilogramë.

“Ky është moment i rëndësishëm për Pragën në historinë tonë 117-vjeçare. Ne monitorojmë nga afër çdo fazë të procesit të prodhimit për të siguruar që modeli i prodhimit Bohema të përmbushë dhe madje të tejkalojë pritshmëritë e klientëve tanë”, ka thënë kreu i kompanisë Tomas Kasparek.

Vetura i është nënshtruar testeve rigoroze duke përfshirë orë të tëra vozitje në Nurburgring, Red Bull Ring dhe Spa-Francorchamps, kështu që pronarëve u garantohet argëtim me adrenalinë.

Lista e pilotëve testues të Bohemas përfshinte ish-pilotin e Formula 1, Romain Grosjean dhe pilotin britanik Ben Collins.

Artikuj të ngjashëm