Tejkalimi i shpejtësisë, veçanërisht në zona të banuara, është problem i madh për autoritetet. Disa shtete evropiane kanë dënimet shumë të ashpra.
Sipas Forbes, në vitin 2020, shkaku i shpejtësisë u shënuan 11.258 nga 38.824 aksidente të trafikut, që përfaqëson 29 për qind të të gjitha aksidenteve.
Shtetet e Bashkuara kanë prej ligjeve më të buta sa i përket trafikut, pas Afrikës së Jugut. Por në disa shtete evropiane dënimet janë të rrepta.
Danimarka ka gjoba relativisht të larta për shpejtësinë, veçanërisht në zonat urbane ose të populluara. Kufiri i shpejtësisë për zonat e banuara është pak më pak se 30 km/h dhe kalimi 20 km/h mbi këtë kufi do të rezultojë në gjobë prej 615 eurosh dhe tejkalimi mbi 40 km/orë me gjobë prej 885 eurosh.
Përveç gjobës, sipas ligjit danez, merret edhe patentë shoferi për periudhë prej gjashtë muajsh deri në 10 vjet.
Franca dhe Monako kanë ligje të njëjta të trafikut, të cilat janë relativisht të buta në krahasim me pjesën tjetër të botës. Shkelja për tejkalim shpejtësia në zona të populluara gjobitet rreth 140 euro.
Por ajo që dallon në Francë dhe Monako është fakti se dërgojnë njerëz në burg për shkelje të përsëritura të shpejtësisë.
Një tjetër aspekt interesant i qasjes së dy vendeve ndaj tejkalimit të shpejtësisë është reagimi ndaj të huajve. Nëse një i huaj kapet duke tejkaluar shpejtësinë, policia mund të konfiskojë mjetin dhe ta detyrojë personin të paguajë gjobë në vend, ose mund t'i hiqet patentë shoferi dhe t’i ndalohet drejtimi brenda territorit francez.
Megjithëse gjoba mund të fshihet, kthimi i veturës së konfiskuar mund të jetë i vështirë sepse gjykatat duhet të përcaktojnë se sa e rëndë ishte shkelja.
Kështu, për shembull, nëse shpejtësia tejkalohet dyfish në një zonë të populluar, vetura mund të mos i kthehet pronarit dhe mund të shitet edhe në ankand.
Zvicra është tjetër shtet që ka ligje të rrepta për trafikun. Vendi është i njohur për ligjet e rrepta dhe zbatimin e tyre. Kufiri i shpejtësisë për zonat e banuara është 50 km/h, ndërsa shpejtësia maksimale është 120 km/h në autostrada.
Gjoba maksimale që mund të marrë është 570 euro, e cila konsiderohet paralajmërim dhe jepet nëse e tejkalon shpejtësinë me 18 km/orë.
Çdo gjë më lart do të rezultojë me pezullim të patentë shoferit për një muaj ose më shumë.
Nëse vozisni më shumë se 40 km/h nga sa lejohet, atëherë rrezikoni burgun.
Norvegjia është e njohur për qasjen e ashpër ndaj shpejtësisë. Ligji norvegjez është jashtëzakonisht i rreptë kur bëhet fjalë për shpejtësinë. Ky vend ka kufijtë më të ulët të shpejtësisë në Evropë.
Në autostradë, gjoba minimale për shpejtësi është 720 euro.
Kurse në zona të populluara, nëse kapeni duke vozitur 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar mund të gjobiteni deri në 960 euro.
Gjoba maksimale që mund të marrë një person është 1200 euro.
Nëse dikush vozit 25 km/h mbi shpejtësinë e lejuar në zona të populluara, autoritetet norvegjeze konfiskojnë patentë shoferin për tre muaj deri në tre vjet. Më shumë se 25 km/h, shkoni në burg.