Zona më e madhe metropolitane në Kinë, shtëpia e 25 milionë banorëve, Shangai, ka qenë nën një bllokim të rreptë për shtatë javë për shkak të përhapjes së COVID-19, raportoi CNN të martën.
Autoritetet kanë urdhëruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbyllin shumë biznese, ndërsa përpiqen të zhdukin shpërthimin e COVID-19 në këtë qytet.
Megjithëse autoritetet njoftuan të hënën se do të lejojnë "nivele të ulëta aktiviteti" në disa zona, banorë të shumtë i thanë CNN-it se nuk ishin lejuar të dilnin jashtë komplekseve të tyre të banimit.
Kufizimet si pasojë e COVID-19 patën një ndikim të rëndë në tregun e makinave të qytetit. Pothuajse të gjithë tregtarët u mbyllën dhe asnjë shitje nuk u regjistrua fare, sipas një deklarate nga Shoqata e Tregtisë së Shitjeve të Automjeteve të Shangait, të lëshuar të hënën.
Në përgjithësi, shitjet e makinave në Kinë ranë për 46% në prill, krahasuar me marsin.
“Ishin shitjet më të këqija në një dekadë”, deklaroi Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave javën e kaluar.
Kina ka vendosur kufizime të rrepta pasi po lufton me shpërthimin më të madh të COVID në më shumë se dy vjet. Më shumë se 30 qytete në Kinë janë nën izolim të plotë ose të pjesshëm, duke prekur deri në 187 milionë njerëz në të gjithë vendin, sipas llogaritjeve të CNN-it.