Auto

72-vjeçari arrin “të pabesueshmen”, kalon 2 milionë kilometra me një veturë

Graeme Hebley, 72 vjeç nga Zelanda e Re, ka zbuluar se arriti shifrën e 2 milionë kilometrave të kaluara me Toyota Corolla në mars të këtij viti dhe beson se vetura e tij do të ecën përgjithmonë, shkruan Daily Mail.

Ai e bleu veturën në vitin 2000 kur Corolla kishte vetëm 80 mijë kilometra të kaluara. Meqenëse ai ka punuar si shpërndarës gazetash që nga viti 1968, ka arritur shpejt kilometrazhin. Gjashtë ditë në javë ai udhëtonte nga Wellington në New Plymouth, në ishullin verior të vendit. Duhen katër orë e 45 minuta për të udhëtuar në një drejtim.

Toyota Corolla, e cila ka motorin dhe transmisionin origjinal, udhëton pothuajse 5000 kilometra çdo javë pune. Për t'i mbajtur gjërat nën kontroll, Hebley e kryen servisin e veturës së tij çdo dy javë. Mekaniku John Sherman konfirmoi rekordin pas vitesh shërbimi te kjo veturë.

“Nëse nuk do të kisha punuar me të, nuk do ta kisha besuar. Nuk ka asnjë mënyrë që do të kisha besuar se ajo mund të bënte dy milionë pa shkuar diçka keq”, ka thënë ai për New Zealand Herald.

John Sherman ia atribuon suksesin prodhimit të automjeteve më të vjetra Toyota, shërbimeve të shpeshta dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme nga Hebley.

Ai ka pohuar se nuk kishte parë kurrë asnjë veturë me kilometrazh si të veturës së Hebleyt. Sipas tij, më së shumti që kishte parë ishte 700 mijë kilometra te një veturë e vetme.