Qytetarët e Kosovës, përveç akcizës paguajnë 10 për qind taksë doganore për importimin e veturave elektrike.
Gjatë këtij viti janë doganuar rreth 241 vetura elektrike, në vlerë prej mbi 8 milionë euro. Ndërkaq, ekspertë të ekonomisë dhe të komunikacionit thonë se qytetarët duhet liruar nga kjo pagesë, në mënyrë që t’u mundësohet atyre të arrijnë sa më lehtë te këto vetura.
Përveç kësaj, vlerësohet se duhet ulur edhe vlera e TVSH-së për importimin automjeteve elektrike. Ndërsa, Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që ka hequr pagesën e taksën doganore për importimin e veturave elektrike. E po ashtu ta ulë edhe TVSH-në.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë për KosovaPress, se Kosova duhet ta bëjë një hap të shpejtë që veturat elektrike t’i lirojë nga taksa doganore.
Shkas për këtë, Rafuna përmend faktin se shumë shpejt shtetet në Bashkimin Evropian nuk do të lejohen të qarkullojnë veturat me djegie të derivateve.
"Veturat elektrike duhet patjetër, jo vetëm pa doganë, por edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar të reduktuar. Ne e kemi kërkuar këtë, pra të stimulohet tregu, t'u mundësohet qytetarëve të arrijnë sa më lehtë te veturat elektrike. Kur dihet tani që shumë shpejtë, për shkak të vendimit në vendet e Bashkimit Evropian që kanë marrë që deri në një kohë të caktuar, nuk do të lejohet më të qarkullojnë veturat me djegie të derivateve. Kështu, që edhe Kosova duhet ta bëjë një hap shumë të madh dhe të shpejtë që veturat elektrike t'i lirojë nga tatimi doganor dhe ta ulë TVSH-në për veturat elektrike nga 18 për qind sa është në shkallën më të ulët të mundshme”, tha Rafuna.
Po ashtu, edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj konsideron se duhet hequr tatimi doganor për veturat elektrike, derisa shton se sistemi i doganimit të automjeteve është i stërvjetëruar dhe se sipas tij duhet të rinovohet.
Dedaj shtoi se institucionet nuk vendosin që dogana të hiqet për shkak se ata “shikojnë vetëm rreth asaj se sa humbin financiarisht”.
"Sigurisht që duhet hequr dogana në Kosovë, për automjete të cilat e shfrytëzojnë rrymën elektrike për lëvizje. Problem tjetër te dogana është se sistemi i doganimit të automjeteve është i stërvjetëruar që duhet te riparohet dhe që duhen forma të tjera të bëhen, në mënyrë që tregu i Kosovës të rifreskohet me automjete. Sa i përket automjeteve me rrymë elektrike, në shtetet e perëndimit veç është në trend se nuk paguajnë doganë, de fakto, ato e prodhojnë edhe vetë. Kosova duhet patjetër ta bëjë sinkronizimin e doganimit të automjetit 6-vjeçar me 12-vjeçar. Dogana është duke u marrë më budallallëqe të tilla, që herë e zgjatë 12, 10 herë 14, ato nuk janë në standardet evropiane dhe profesionale. Krejt kjo bëhet për shkak se dëmtohet buxheti financiarisht, asnjëherë nuk e qojnë më mendje ekologjinë edhe sigurinë rrugore, por gjithmonë e shikojnë se sa janë duke humbur financiarisht", tha Dedaj.
Ndërkaq, nga Doganat e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, tha se gjatë këtij viti janë importuar 241 vetura elektrike, në vlerë totale rreth 8.6 milionë euro. Nga ky institucion potencojnë se për importin e një automjeti me rrymë, qytetarët paguajnë 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind të TVSH-së.
“Gjatë vitit 2023 në vendin tonë janë importuar 241 vetura elektrike, me vlerë totale rreth 8.6 milionë euro. Për importin e një veture të tillë paguhet 10% taksa doganore si dhe TVSH-ja 18%”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Shqipëri, në zbatim të direktivave evropiane, ka qenë e para ndër administrata doganore të rajonit që ka përqafuar qasjen ambientaliste lidhur me lehtësitë fiskale për veturat elektrike.
Shqipëria në vitin 2020 ka hequr pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) në doganë për importin e automjeteve me rrymë.
Gjatë vitit 2020, në Shqipëri janë importuar rreth 215 automjete elektrike të reja, 309 në 2021 dhe rreth 500 në vitin e kaluar./KSP