Auto

Volkswageni shet gjysmë milioni vetura elektrike

Në vetëm dy vjet, kompania gjermane Volkswagen ka ndërtuar dhe ka shitur 500 mijë vetura me energji elektrike, shkruan AutoCar.

Volkswagenët e parë elektrikë (ID.3) iu dorëzuan klientëve më tetor 2020. Vetëm dy vjet më vonë, me një zgjerim të ndjeshëm të gamës së modeleve nga ID., u arrit shifra e gjysmë milioni shitjeve. Kjo shifër është më lart se sa pritej, pasi VW-ja kishte llogaritur se për të arritur një numër të tillë shitjesh duheshin tre vjet.

Rezultati i jashtëzakonshëm i shitjeve i arritur nga Volkswageni në nivel global nuk u pengua shumë nga problemet e vazhdueshme me furnizimin e pjesëve me të cilat është përballur industria e automjeteve vitet e fundit, dhe numri i veturave elektrike të shitura është një nxitje shtesë për të vazhduar me elektrifikimin intensiv.

Kërkesa, sipas kompanisë, për modelet e tyre elektrike nuk po pakësohet dhe po bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që klientët të marrin veturat e tyre me një periudhë të arsyeshme pritjeje. Sipas deklaratave të fundit, Volkswageni do të prodhojë vetëm modele elektrike në Evropë nga viti 2033, dhe oferta ekzistuese do të zgjerohet deri në vitin 2026 me dhjetë ID modele të reja.

Me lajmin se furgoni elektrik i prezantuar së fundi ID.Buzz është porositur tashmë nga pothuajse 13 mijë klientë, qëllimi i Volkswagenit është të jetë kompania lider e veturave që ofron numrin më të madh të modeleve të ndryshme elektrike, prej të cilave më të përballueshmet nuk duhet të jenë më të shtrenjta se 25 mijë euro.