Auto

Vetura fluturuese kryen me sukses fluturimin e parë testues

“AirCar”, vetura hibride fluturuese, është e pajisur me një motor të BMW-së që fuqinë e merr nga pompat e karburanteve. Mund të fluturojë për rreth 1.000 kilometra në një lartësi prej 2.500 metrash dhe deri më tani ka realizuar 40 orë në qiell

Prototipi i veturës fluturuese ka realizuar me sukses fluturimin 35-minutësh nga aeroporti në Nitra drejt atij në Bratislavë të Sllovakisë.

Vetura hibride fluturuese “AirCar” ka një motor të BMW-së dhe fuqinë e merr nga pompat e karburanteve.

Krijuesi i tij, profesori Stefan Klein, thotë se mund të fluturojë për rreth 1.000 kilometra në një lartësi prej 2.500 metrash dhe deri më tani ka realizuar 40 orë në qiell.

Sipas raportimit të BBC-së, ai për dy minuta e 15 sekonda shndërrohet nga vetura në aeroplan.

Kënaqësi e madhe

Krahët e vegjël ndodhen të vendosur në të dyja anët e veturës.

Profesori Klein e ka drejtuar nga nisja deri në aterrim në qytetin tjetër. Krejt kjo është vështruar nga gazetarët e ftuar. Ai e ka përshkruar përvojën e mëngjesit të së hënës si “normale” dhe “shumë të kënaqshme”.

“Në ajër vetura fluturuese e arriti shpejtësinë prej 170km/h. Me të mund të udhëtojnë dy njerëz dhe kufiri i peshës është 200 kilogramë. Por, për dallim prej prototipave dronë-taksi, nuk mund të ulet dhe të aterrojë vertikalisht, por i duhet pistë”, ka raportuar BBC-ja.

Pritshmëritë janë shumë të larta për tregun e ri të veturave fluturuese, të cilat ka kohë që po paralajmërohen në shoqëri si pikë referimi vizionare për të ardhmen. Më 2019, kompania këshilluese “Morgan Stanley” kishte parashikuar se ky sektor mund të kapë vlerën prej 1.5 biliardë dollarësh, në vitin 2040.

Dhe në një ngjarje të industrisë të martën, shefi ekzekutiv i kompanisë “Hyundai Motors Europe”, Michael Cole, e ka cilësuar konceptin si “pjesë të së ardhmes sonë”. Po konsiderohet si zgjidhje potenciale për trafikun në infrastrukturën ekzistuese.

Treg i gjerë

BBC-ja ka raportuar se kompania që qëndron prapa AirCar, “Klein Vision”, ka potencuar se prototipi është krijuar për një periudhë kohore prej dy vjetësh ndërsa ka kushtuar më pak se 2 milionë euro.

Anton Rajac, këshilltar dhe investitor në “Klein Vision”, ka thënë se nëse kompania mund të marrë edhe vetëm një përqindje të vogël të linjave ajrore globale, atëherë mund të korrë sukses të madh.

“Tanimë janë bërë 40 mijë porosi për aeroplanë vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai për BBC-në. “Dhe nëse i shndërrojmë 5 për qind prej tyre në porosi për vetura fluturuese, në vend të aeroplanëve, atëherë do të kemi një treg të madh”.

“Tepër e mirë”

Dr. Stephen Wright, studiues i lartë i avionikës dhe aeroplanëve në Universitetin e Perëndimit të Anglisë, e ka përshkruar veturën AirCar si “fëmija i Bugatti Veyron dhe Cesna 172”. Ai nuk mendon se vetura do të ishte e zhurmshme apo joekonomike sa i përket çmimit të karburantit, krahasuar me aeroplanët e tjerë.

“Më duhet ta pranoj se duket tepër e mirë – por kam me qindra pyetje sa i përket certifikimit”, ka thënë Wright për BBC-në. “Kushdo mund ta ndërtojë një aeroplan, por qëllimi është që të bëhet një e tillë që fluturon e fluturon për orë të tëra, me vetëm një pasagjer, pa pasur ndonjë incident. Mezi po pres që ta shoh dokumentin, ku thuhet se ky mjet është i sigurt për të udhëtuar dhe për t’u shitur”.