Auto

“Fluturojnë” aksionet e Kias pas raportimit për bashkëpunim me Applen

Descriptive Text

Aksionet e “Kia Motors” kanë përjetuar ditën më të mirë në më shumë se dy dekadat e fundit pas lajmit në Korenë e Jugut se kompania po kompleton një marrëveshje të madhe me gjigantin teknologjik “Apple”.

Aksionet e prodhuesit u rritën për 9.7 për qind të mërkurën, duke arritur në vlerën 87.70 dollarësh për aksion. Ky ishte niveli më i lartë që nga gushti i 1998-s, sipas të dhënave të “Refinitiv Eikon”.

Sipas raportimit që çoi në ngritjen e vlerës së aksioneve, Apple pritet të investojë rreth 3.6 miliardë dollarë në Kian për partneritetin për zhvillimin e një veture të re.

Lajmi s’është konfirmuar, por Kia dhe kompania amë e saj, Hyundai, kanë refuzuar të përgjigjen për raportimet.

Sipas raportimit, Kia do të nisë prodhimin e veturave të Applet në fabrikën e saj në Shtetet e Bashkuara, me rreth 100 mijë njësi në vit. Kapaciteti pritet të rritet më vonë në 400 mijë në vit.

Po ashtu ishte raportuar se një marrëveshje do të nënshkruhet më 17 shkurt, me qëllimin e lansimit në treg të veturave të Applet deri më 2024.

Spekulimet për interesimin e Applet për industrinë e automobilizmit janë shtuar ndjeshëm kohëve të fundit. Muajin e shkuar u raportua se Hyundai po diskutonte me Applen për veturat elektrike.