Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyrtarit të EULEX-it s’i bëhet vonë për rregullat e trafikut në Kosovë

Një zyrtar i EULEX-it ka treguar se s’i bëhet vonë për rregullat e trafikut në Kosovë kur është pyetur nga një qytetar se a parkon keq sikur në Prishtinë, edhe në vendin e tij të origjinës.

Një video e postuar në Facebook nga “Vrojtuesit e lagjes”, dëgjohet teksa një qytetar i Kosovës e pyet zyrtarin e EULEX-it, që ka parkuar veturën në zonë ku s’është e lejuar, se “a e parkon veturën kështu në shtetin tuaj?”

Përgjigja e zyrtarit ndërkombëtar ka qenë “Parkoj kështu në Kosovë”.

Rasti ka ndodhur në Rrugën C.

Përgjigjen e tillë nga zyrtari i EULEX-it e ka komentuar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

“Çfarë shfaqje e turpshme e arrogancës. E turpshme”, ka shkruar ajo në Twitter.

Edhe avokati Arianit Koci ka reaguar duke e quajtur rrugaç zyrtarin e EULEX-it.

Koci ka thënë se qasja e tij e dëshmon atë për të cilën që moti dyshohej, se disa ndërkombëtar nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Rrugaça si ky zyrtar i EULEX, nuk kanë vend në Kosovë. Në fakt, nëse EULEX-i nuk i përjashton vet këta individ - nuk na duhet as EULEX-i. Përndryshe, kjo qasje dhe ky deklarim i këtij ndërkombëtari e shpërfaqë në mënyrë të artikuluar atë që moti kemi dyshuar: disa ndërkombëtarë nuk ia donë të mirën Kosovës. Ose së paku vijnë këtu me idenë se ne jemi njerëz të egër, dhe se Kosova nuk funksionon si shtet. P.s. Mē shumë më ka irritu deklarimi se vet parkimi”, ka shkruar Koci në Facebook.

EULEX-i reagon pasi zyrtari i tij shkel rregullat e trafikut

EULEX-i ka reaguar më pas për veprimin e zyrtarit të tij, duke garantuar se ndaj tij do të merren masa disiplinore.

“Dënojmë me ashpër sjelljen e pjesëtarit të stafit të EULEX-it që është parë duke parkuar gabimisht në Prishtinë. Ne garantojmë se do të marrim masat e duhura disiplinore. Falënderojmë qytetarin e Kosovës që e nxori në dritë këtë rast dhe për sjelljen e përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it shkruar në Twitter.

Artikuj të ngjashëm