Një zyrtar i logjistikës në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent është bërë zëvendësues i drejtorit në njërin nga pesë departamentet e kësaj agjencie. Me vendim të drejtorit të përgjithshëm, Rifat Metaj ka marrë detyrën e lartë në Departamentin për Financa dhe Shërbime.
Sipas dokumentit që ka siguruar KOHA, Metaj është vendosur që ta ushtrojë këtë detyrë deri në marrjen e një vendimi tjetër. Vendimi ka hyrë në fuqi të premten e 10 qershorit. Koeficienti i detyrës së re është dhjetë, thuhet aty.

Drejtori i përgjithshëm i AME-së, Fadil Kodra, nuk ka qenë i qasshëm në thirrjet e KOHËS të shtunën.
Ndërkaq Metaj, i pyetur për pozitën e mëhershme, ka mohuar se ka qenë shofer në këtë agjenci në të kaluarën. Ai ka thënë se për tre vjet ka ushtruar detyrën e zyrtarit të logjistikës. Ka shtuar se të hënën mund të ofrojë përgjigje të plota për marrjen e detyrës së re.
KOHA ka dërguar në mbrëmjen e së shtunës pyetje edhe në e-mailin zyrtar të AME-së.
Detyrat e zyrtarit të logjistikës në këtë institucion nuk janë të përshkruara në organogram. Në uebfaqe të AME-së te vegëza e organogramit thuhet vetëm se “përmbajtja do të shtohet së shpejti...”
Edhe
Fadil Kodra kthehet në krye të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave

Agjencia e Menaxhimit Emergjent funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ajo ka për mision mbështetjen e qytetarëve në raste të rreziqeve të mundshme, qoftë natyrore apo të shkaktuara nga njeriu.
AME-ja i ka pesë departamente. Ai i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme ka për mision menaxhimin dhe mirëmbajtjen e informatave për burime njerëzore të AME-së, asistimin e menaxhmentit në organizim të brendshëm, ofrim të mbështetjes administrative, logjistike, mjekësore dhe të shërbimeve të teknologjisë informative.