Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyrapi: As komandantët e zonave nuk janë emëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

Në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, dha shembuj që mbështesin versionin se UÇK-ja nuk funksionoi si ushtri e rregullt. Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk i ka emëruar as komandantët e zonave, dhe se në disa Zona Operative ka pasur njësi që kanë funksionuar si të pavarura.

Bislim Zyrapi ka thënë se i është bashkuar UÇK-së si kuadro profesionale pasi ka qenë oficer i lartë edhe në Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe pjesë e përgjegjësisë së tij ka qenë shndërrimi i Ushtrisë Çlirimtare në një ushtri të rregullt e me hierarki funksionale.

Zyrapi, i cili për një kohë gjatë luftës e ka mbajtur pozitën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë dha shembuj që e mbështesin versionin se UÇK-ja nuk funksionoi si ushtri e rregullt.

“Shembull Pashtriku, kemi pasur njësitin Lumi, Lisi, Pëllumbi por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e lidhur me një komandë. Shihet që deri në fund të qershorit nuk ka arritur të caktohet komandanti i zonës. Këto njësi kanë vepruar sipas situatës dhe nevojave dhe mes vete këto njësi nuk kanë pasur bashkëpunim”, ka deklaruar ai.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Zyrapi tha se as komandantët e zonave nuk janë zgjedhur nga Shtabi.

“Komandantët e Zonave në atë kohë normalisht që e kanë pasur nga njësitet brenda zonave të tyre dhe ato kur kam ardhur vetëm se i kam gjetur. Pra janë zgjedhur dhe përcaktuar nga njësitë më poshtë”, ka theksuar ai.

Zyrapi ka dëshmuar në Hagë edhe në procesin ndaj Ramush Haradinajt. 

Edhe Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai Arbëri Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai

Edhe gjatë dëshmisë së tashme, ka përsëritur se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur më pak autoritet se komandantët e zonave.

“Po e kam bazuar në atë se si e kanë pasur autoritetin te njësitë e zonave të veta. Por e kanë pasur autoritetin edhe te popullata. Natyrisht që Shtabi Përgjithshëm është ditur që ekziston, faktikisht në atë kohë është njohur si Shtabi Qendror, por nuk e kanë ditur kush janë anëtarët e Shtabit Qendror. E kanë ditur vetëm disa komandantë kush janë anëtarët e Shtabit Qendror”, ka thënë ai.

Zyrapi pritet që dëshminë ta vazhdojë edhe të enjten në sesionin e paradites. Ai do të rikthehet të hënën, ndërkaq deri atëherë pritet ta përmbyllin dëshminë dy dëshmitarë të mbrojtur.