Arbër Geci, që është zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, gjatë ditës së djeshme dyshohet se ka kërcënuar dy zyrtarë policorë. Ndaj tij, është iniciuar rasti “pengim ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
Një burim i Koha.net ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje rreth orës 10 të mëngjesit, në rrugën “Rrustem Statovci” në kryeqytet.
Sipas këtij burimi, Arbër Geci, ka kërcënuar dy zyrtarë policorë pasi ata i shqiptuan një gjobë vëllait të tij, Ilir Gecit.
Rastin e ka konfirmuar për Koha.net edhe Policia e Kosovës, ndonëse nuk ka folur me emra. Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në rajonin e Prishtinës tha se fillimisht i është shqiptuar gjobë ngasësit, në këtë rast Ilir Gecit, e më pas është iniciuar rasti “pengim ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës”, pra ndaj Arbër Gecit.
“Rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:00, në udhëkryqin e rrugëve, Rrustem Statovci - Gustav Majer, ku janë penguar zyrtarët policorë nga një person derisa ishin duke shqiptuar gjobë për kundërvajtje një ngasësi, në lokacionin e sipërshënuar. Pas shqiptimit të gjobës për ngasësin, në koordinim me prokurorinë përkatëse në stacionin policor Qendra në Prishtinë, ndaj personit tjetër është iniciuar një rast ‘Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare’, me të cilin po merren njësiti i hetimeve”, tha Ahmeti.
Mbi të gjitha, zv/ministri Arbër Geci është prezantuar edhe si VIP.
“Unë jam VIP, Arbër Geci, jam zv/ministër i Arsimit, maje në mend ti qe po shqipton tiketë. Ama numrin, ka me të raportu në Ministri për këtë, ke me pa kush jam unë”, e citon ky burim të ketë thënë Arbër Geci.
Ky burim i ka thënë portalit se vetura e Ilir Gecit, vëllait të Arbërit, ishte parkuar në një trotuar, dhe kjo ishte arsyeja pse Policia i dha gjobë.
“Policia i kërkonte ta lironte trotuarin, por ata injoruan policinë. Në atë moment, i kërkuan dokumentet për t’ia nënshkruar gjobën për kundërvajtje në trafik dhe Arbër Geci iu afrua duke i thënë se ‘unë jam VIP’”, ka thënë burimi, emër i njohur për redaksinë.
Koha.net gjatë ditës së sotme e ka kontaktuar Arbër Gecin për të mësuar prej tij detaje tjera dhe për ta sqaruar rastin, por ai nuk e ka hapur telefonin.