Shkolla më e madhe me 2500 nxënës në qytetin e Ferizajt “Gjon Serreçi” dhe shkolla tjetër “Ismail Qemali” këtë të hënë nuk kanë mundur ta fillonin procesin mësimor për shkak të mospërgatitjeve teknike, ndërkaq shkolla “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë, për shkak se drejtoresha e kësaj shkolle një ditë më parë ka rezultuar me Covid-19.
Drejtuesit e objekteve shkollore kanë thënë se punëkryerësit janë vonuar në finalizimin e punimeve, ndërkohë telashe janë paraqitur edhe shkaku i ndërrimit të objekteve shkollore prej atij “Shaban Hashani” në atë “Gjon Serreçi”. Drejtori i shkollës fillore “Gjon Serreçi”, Nazmi Heda, ka thënë se janë edhe disa arsyeje pse nuk ka filluar procesi mësimor këtë të hënë.
Sipas drejtorit Heda, punëkryerësi është zotuar se më 21 shtator do të përfundojë renovimi i objektit dhe nyjave sanitare.
E në anën tjetër Ajet Hoxha, kryetar i këshillit të prindërve, ka kërkuar nga organet komunale t’i përshpejtojnë punimet nëpër objekte shkollore me arsyetim se fëmijët po humbin shumë ditë të mësimit, ndryshe, sipas tij, prindërit janë dakorduar se pa u rinovuar objektet nuk do t’i sjellin fëmijët në shkollë.
Ndërkaq Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se mbi 60 shkolla sa ka Komuna e Ferizajt, janë përgatitur teknikisht me dezinfektues dhe materiale të tjera shpenzuese e higjienike në përjashtim të tri shkollave.
Llabjani është zotuar se Komuna është duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet në mënyrë që mësimi në këto shkolla të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që fëmijët të mos kenë humbje të ditëve të mësimit.