Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa objekte shkollore në Ferizaj pa përgatitje teknike për nisjen e procesit mësimor

Dhjetëra objekte shkollore në komunën e Ferizajt ende nuk janë përgatitur teknikisht për të nisur procesi mësimor më 1 shtator.

Në disa objekte mungon ngjyrosja e mureve, dezinfektimi dhe deratizimi i hapësirave brenda dhe jashtë. Po ashtu në disa objekte të tjera mungojnë edhe investimet në banja sanitare. Në komunën e Ferizajt kanë thënë se në fund të javës do të nis dezinfektimi i të gjitha objekteve, ndërkohë janë ngjyrosur vetëm ato objekte që ka pasur nevojë.

Aktivistët e rrjetit të OJQ-ve “Avonet” gjatë së martës kanë vizituar disa objekte shkollore dhe kanë konstatuar se ato ende nuk janë përgatitur teknikisht për të nisur mësimin. Sipas kësaj OJQ-je, me gjendje më të rëndë teknike vazhdon të mbetet ish objekti i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj derisa komuna nuk ka arritur t’i rinovoi banjat e as muret. Po ashtu me gjendje të ngjashme vazhdon të qëndroi edhe objekti i vjetër i shkollës Fillore “Skënderbeu”.

“Dhjetëra objekte shkollore ende nuk i plotësojnë kushtet teknike për ta nisur procesin mësimor, andaj kërkojmë nga komuna që urgjentisht të bëhet ngjyrosja e mureve në disa objekte siç e kemi njoftuar edhe Komunën, pastaj të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore dhe të rinovohen me urgjencë banjat sepse në disa objekte vazhdon të rrjedhë uji”, thuhet midis të tjerash në reagimin e OJQ-së “Avonet”.

Koha ka kontaktuar me drejtorin e kësaj OJQ-je, Kenan Gashi, i cili ka bërë me dije se komunën e kanë njoftuar me kohë që përgatitjet teknike të objekteve shkollore duhet të përfundojnë para muajit shtator, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Në dhjetëra objekte nuk është bërë të paktën dezinfektimi dhe deratizimi i objekteve apo pastrimi i tyre dhe kjo është shqetësuese për të gjithë e veçanërisht prindërit të cilët për çdo ditë po ankohen. Rreth kësaj çështje ndoshta do ta organizojmë edhe ndonjë konferencë për media sepse është shqetësuese që objektet shkollore mos t’i plotësojnë kushtet për ta nisë procesin mësimor. Kërkojmë me urgjencë nga ekzekutivi që me urgjencë ta ndajë një fond të veçantë për renovime, për rritjen e nivelit të higjienës nëpër shkolla dhe të bëhej deratizimi dhe dezinfektimi i tyre”, ka thënë Gashi.

Edhe OJQ-të në Ferizaj kërkojnë mirëmbajtjen e objekteve shkollore Arbëri OJQ-të në Ferizaj kërkojnë mirëmbajtjen e objekteve shkollore

Sipas tij, gjatë këtyre ditëve aktivistët e organizatës kanë takuar dhjetëra prindër dhe qytetar të cilët janë ankuar nëse procesi mësimor do të filloi në disa objekte pa u bërë dezinfektimi dhe ngjyrosja e mureve. “Objekti i vjetër i “Gjon Serreçi” është tepër i vjetruar, prandaj komuna po e zvarrit projektin e ndërtimit të objektit të ri, prandaj nuk e di se si do të fillojnë mësimin ata mijëra nxënës në këtë objekt. Me këtë rast kërkojmë që objekti i ri shkollor të finalizohet sa më shpejt sepse gjendja teknike e objektit të vjetër nuk i plotëson as kushtet minimale për zhvillim të procesit mësimor”, ka shtuar Gashi.

Blerim Krasniqi, banor nga Ferizaj, ka thënë se objektet shkollore duhet të përgatiten teknikisht pasi që fëmijët e meritojnë një ambient të pastër për zhvillimin e procesit mësimor. “Të gjithë prindërit duan që objektet shkollore të jenë sa më të pastra sepse të gjithë e dëshirojnë më të mirën për fëmijët e tyre. Në Ferizaj janë ndërtuar shumë objekte shkollore por mirëmbajtja nuk është aq e kënaqshme, sidomos para fillimit të procesit mësimor më 1 shtator të gjitha objektet duhet të jenë të dezinfektuara dhe të pastruara mirë. Ne kërkojmë që kjo të ndodh megjithëse po besoj se institucionet i kanë parasysh këto projekte”, ka kërkuar ai.

Në anën tjetër Afrim Llabjani, drejtor i arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë se komuna e ka të kontraktuar një kompani për mirëmbajtjen teknike të objekteve shkollore, andaj sipas nevojës janë ngjyrosur shumë objekte shkollore dhe janë bërë renovime nëpër nyje sanitare. “Po ashtu që nga dita e enjte kemi planifikuar që të gjitha objektet shkollore të dezinfektohen dhe të përgatiten për procesin mësimor. Sa i përket objektit të vjetër të shkollës “Gjon Serreçi” vazhdon të jetë gjendja e njëjtë sepse po planifikojmë kah fundi i muajit shtator të kalojmë në objektin e ri dhe kjo është arsyeja që aty nuk kemi bërë investime”, ka thënë Llabjani. Sipas tij, Komuna është në kontakt të vazhdueshëm edhe me drejtorët e shkollave dhe sipas kërkesave të tyre po punohet që më 1 shtator të gjitha shkollat do të jenë të përgatitura teknikisht në mënyrë që nxënësit ta nisin mësimin në ambiente sa më të pastra dhe të sigurta.