Arbëri

Zulfaj: Kërkesa e ndërkombëtarëve ishte t’i hapim të gjitha pikat, ne hapëm vetëm Merdarin

Zulfaj

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit, ka thënë se kërkesat e ndërkombëtarë kanë qenë që të hapen të gjitha pikat kufitare, por se Qeveria është pajtuar për hapjen e vetëm pikës në Merdar prej nga mund të hyjnë tashmë mallrat nga Serbia. Ndalesa e mallrave vazhdon të jetë në fuqi në të gjitha pikat tjera kufitare me Serbinë.

Ai ka përsëritur se të gjitha pikat tjera kufitare me Serbinë nuk janë hapur derisa të vijnë skanerët.

“Kërkesa ka qenë që të gjitha pikat kufitare të hapen. Nuk ka qenë kërkesa që ne po e refuzojmë hapjen e vendkalimit kufitar duke e lidhur me CEFTA-n. Kërkesat ne i kemi bërë të ditura që në fillim që për ne nuk janë të ndërlidhura, kërkesa për barazi është bërë më 2021, kërcënimet e sigurisë janë bërë vitin e shkuar. Këto nuk mund të jenë të lidhura por Serbia i ka lidhur. Institucionet e sigurisë i bëjnë vlerësimet e sigurisë dhe vendosin për nivelin e rrezikut dhe mundësitë e kontrollit që i kanë. Kalimi i masës në Merdar sipas vlerësimeve të institucioneve duke e shtuar kontrollin manual është vlerësim që mund të ecet në këtë drejtim deri të vijnë skanerët”, ka thënë ai në Interaktiv.

Zulfaj ka potencuar se edhe në Merdar mallrat do të kalojnë me kontroll të shtuar.

“E dini cilat kanë qenë kërkesat, pra që të hapen të gjitha pikat kufitare sepse nuk kontrabandohen armët nëpër rrugët legale dhe që duhet të lëvizin lirshëm. Ne prapë kemi thënë që në Merdar me kontroll të shtuar, sepse ky është vlerësimi i institucioneve të sigurisë në këtë moment”.