Arbëri

ZRRE-ja alarmon se shpenzimi i energjisë në kohën e pikut ka arritur atë të Shqipërisë

Rritja e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike ka vënë në alarm institucionet përgjegjëse. Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë thirrje për kursim, pasi gjatë ditëve të fundit konsumi në orët e pikut ka arritur nivele të krahasueshme me ato të Shqipërisë, duke rritur nevojën për import por edhe duke shtuar presionin mbi sistemin energjetik të vendit. E në mbledhjen e këtij institucioni janë caktuar tarifat e reja të ngrohjes për konsumatorët e ndërmarrjeve publike “Termokos” dhe “Gjakova”

Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike, pasi sipas saj, shpenzimi në periudhën e pikut ka arritur atë të Shqipërisë.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, tha se konsumi në këtë periudhë shkon në 1.500 megavat për orë, shumë mbi prodhimin në Kosovë që është 900 megavatë.

“Bëjmë thirrje edhe te konsumatorët e energjisë elektrike të bëjnë kursime dhe ato kursime do të reflektohen në tarifat e ardhshme të energjisë elektrike. Pra, u bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve, sidomos të energjisë elektrike, që të paktën për muajin dhjetor dhe janar të kursejnë energji elektrike”, tha Fejzullahu. 

Fejzullahu theksoi se kjo diferencë duhet të importohet dhe, përveç kësaj, tha se ka edhe probleme të kapaciteteve transmetuese dhe shpërndarëse.

Sipas tij, konsumatorët në zonat rurale dhe në shtëpi duhet të gjejnë zgjidhje alternative për ngrohje, e jo ta bëjnë këtë me energji elektrike.

“Konsumi i pikut në Kosovë i është ofruar pikut maksimal të Shqipërisë, që është 1 mijë e 600 megavat, ose 1.2 që është Maqedonia. Megjithëse si popullsi Shqipëria është dyfishi i Kosovës, ne iu kemi përafruar konsumit të energjisë elektrike në këto ditë”, tha Fejzullahu.

E në mbledhjen e këtij institucioni të martën, janë caktuar tarifat e reja të ngrohjes për konsumatorët e ndërmarrjeve publike “Termokos” dhe “Gjakova”. 

“Në propozimin e këtij viti, të hyrat e lejuara maksimale për NQ Gjakova dhe NQ Termokosi do të rezultojnë: për Termokos kemi zbritje të tarifave për rreth 4 për qind, kurse për NQ Gjakova për 5 për qind. Kjo duhet të theksohet se është vetëm për konsumatorët me matje, pasi kemi konsideruar se ka pasur kursim te kjo kategori e konsumatorëve dhe si rezultat i këtij kursimi është reflektuar edhe në tarifat e këtyre dy ndërmarrjeve për vitin 2025–2026”, tha Fejzullahu. 

Tarifa për konsumatorët në kryeqytet, e që kanë matës të instaluar, do të jetë 73 centë për kilovat, kurse për ata pa matës do të jetë 76 centë në muaj për metër katror. 

Kurse, tarifa mujore e ngrohjes për qytetarët e Gjakovës do të jetë 72 centë.