Zyra Kombëtare e Auditimit ka rënë në përfundim se sistemi shtetëror ka qenë i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje.
ZKA-ja ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022.
Auditimi ka konstatuar se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.
“Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara. Po ashtu viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ZKA-ja.
Rezultatet e auditimit tregojnë se gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në familje.
Edhe
ZKA: Dënimet e buta e mungesa e rehabilitimit të viktimave, probleme kryesore në rastet e dhunës në familje
“Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedure penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje”, thuhet më tej në njoftim.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve.