Arbëri

ZKA-ja kritikon Prokurorinë e Shtetit për mostrajtim të rasteve të saj

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq, vazhdimisht deponon raste me elemente të shkeljeve penale në Prokurori, mirëpo, përpos nga gjykata, nuk ka marrë informata lidhur me ecurinë e këtyre çështjeve. E në Institutin e Kosovës për Drejtësi konsiderojnë që bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të bëhet në baza profesionale, duke respektuar kompetencat e njëri-tjetrit

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë kritikuar Prokurorinë e Shtetit për mungesë të bashkëpunimit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq, vazhdimisht deponon raste me elemente të shkeljeve penale në Prokurori, mirëpo, përpos nga gjykata, nuk ka marrë informata lidhur me ecurinë e këtyre çështjeve.

“Që nga 2018-ta deri në 2022-n në total kemi dërguar diku 300 raste me elemente potenciale të veprave penale te prokurori i shtetit. Vetëm në 2022-n kemi dërguar 51 raste me elemente potenciale të veprës penale. Ne kemi lidhur një marrëveshje të bashkëpunimit me prokurorin e shtetit, me qëllim që të marrim një informatë kthyese e të shohim se ku janë rastet që i kemi dërguar te prokurori i shtetit por që ende ky mekanizëm nuk është duke funksionuar si duhet dhe nuk kemi marrë informata kthyese”, ka thënë Spanca.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi konsiderojnë që bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të bëhet në baza profesionale, duke respektuar kompetencat e njëri-tjetrit.

Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në IKD ka bërë thirrje që shkeljet që i gjen Zyra e Auditorit, të merren me seriozitet nga Prokuroria e shtetit, por edhe ato rajonale.

“Raportet që ZKA-ja i dërgon te prokurori i shtetit me gjetjet që kanë bërë gjatë auditimit duhet të trajtohen me seriozitet nga prokurori i shtetit. Këtë e kemi kërkuar edhe në raportet tona të mëhershme në IKD, të gjitha raportet e ZKA-së duhet të trajtohen me seriozitet dhe me profesionalizëm nga prokurori i shtetit mirëpo ka raste kur gjetjet e auditorit mund të jenë edhe keqmenaxhim institucional dhe këto raste duhet trajtuar brenda institucionit”, ka deklaruar Kolaj.

KOHA ka pyetur Prokurorinë e Shtetit lidhur me bashkëpunimin me ZKA-në, si dhe a janë hetuar gjetjet nga auditimi, mirëpo në prokurori nuk janë përgjigjur.

Kritika për prokurorinë, në vazhdimësi kanë bërë edhe nga kabineti qeveritar, përfshirë kryeministrin Albin Kurti.