Arbëri

Gjithsej 3 aktakuza për 400 denoncime nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Organi i akuzës nuk është aktivizuar për t’i hetuar gjetjet që evidentohen në raportet e përvitshme të auditimit për institucionet publike. ZKA-ja i ka përcjellë në Prokurori rreth 400 kallëzime, por as për 1 për qind të tyre nuk janë ngritur aktakuza. Në shoqërinë civile thonë se kjo tregon edhe për mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional

Rreth 400 raste ndër vite i ka dorëzuar për hetim në Prokurori, Zyra Kombëtare e Auditimit, pas gjetjeve gjatë auditimit në institucione të nivelit qendror e lokal.

Por vetëm tri aktakuza janë ngritur deri tash.

Javën e shkuar, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka shprehur zhgënjim në organin e akuzës dhe ka thënë se vetëm për 143 raste janë pranuar informata kthyese për fazën e hetimit të tyre.

“Vetëm për 3 raste kanë ngritur aktakuzë. Për statusin e tyre nuk e dimë ende. Janë diku 50 raste të cilat janë nën hetime dhe 80 janë mbyllur. Ky është niveli, domethënë, informacioni të cilin e kemi pranuar. Tash, fakti që prej 143 rasteve i kemi vetëm 3 raste të cilat janë ngritur aktakuzë, normal që nuk është një informacion i kënaqshëm edhe për ne, për shkak se punën po e bëjmë”, ka thënë Spanca.

Prokurori i Shtetit nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për rastet e deponuara nga ZKA-ja.

E, në Institutin e Kosovës për Drejtësi theksuan se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional është evidente prej vitesh.

Hulumtuesi Gzim Shala thotë se Prokurori duhet t’i shfrytëzojë gjetjet në raportet e auditimi, të cilat mund të rezultojnë me përgjegjësi penale. 

“Është shumë e rëndësishme që Prokurori i Shtetit t’i trajtojë me prioritet edhe profesionalizëm këto raste, mirëpo është po ashtu e rëndësishme që edhe ZKA-ja të njoftohet lidhur me rezultatin e këtyre procedurave te Prokurori i Shtetit... E rëndësishme është që në secilin rast të ketë një shqyrtim meritor dhe profesional të secilit rast”, ka thënë Shala.

Hulumtuesi Shala vlerëson se mosveprimi i Prokurorit të Shtetit në raste të këtilla, e minimizon kontributin dhe rolin e ZKA-së.

“ZKA-ja e ka një pozitë shumë të rëndësishme në kuptimin e kontrollit financiar... Dhe nëse përkundër faktit që evidentohen raste ku ka dyshime edhe për vepra penale nuk vepron Prokurori i Shtetit, atëherë, në njëfarë forme, edhe zhvlerësohet puna e madhe që e bën ZKA-ja në rastet e caktuara”, ka thënë ai.

Pasi proceset e auditimit kanë evidentuar parregullsi në disa institucioneve, sivjet ZKA-ja i ka dërguar për hetim në Prokurori 11 raste. Ky institucion ka bërë të ditur se është në proces të analizës edhe të rasteve të tjera me elemente të mundshme të veprave penale.