Zhvillimi i sektorit privat është kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kështu u tha në një takim që patën krerët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i OEA-së tha se kanë përgatitur një dokument që përmban rekomandimet për përmirësimin e mëtejmë të mjedisit për të bërë biznes dhe fuqizimit të sektorit privat, të cilat ia ka dorëzuar edhe qeverisë, por edhe Kuvendit.
“Ai tha se krahas përparimit të shënuar në lehtësinë e të bërit biznes, por edhe të politikave fiskale, duhet të bëhet shumë më tepër ashtu që Kosova të bëhet edhe më atraktive para investitorëve të huaj, prandaj dialogu nuk ka alternativë, duke theksuar se vihet re një zbehje në dialogun publiko-privat”, thuhet në një njoftim nga Oda Amerikane.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se institucionet duhet të marrin parasysh edhe qëndrimet e sektorit privat duke pasur parasysh që aty ndodhet talenti më i madh profesional për sa i përket formësimit të politikave publike. Ai tha se nëse është zgjedhur një ekonomi të tregut, atëherë sektori privat duhet të luajë rol kyç si në politikat publike edhe në ligjet që i udhëheqin ato. Ai po ashtu tha se duhet të ketë koordinim më të mirë me përfaqësuesit e sektorit privat edhe në aspektin legjislativ.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Veseli tha se partneriteti i këtij sektori me atë publik është primar. Sipas tij, përgatitja dhe aftësimi i fuqisë punëtore mbeten iniciativat e qeverisë për të forcuar zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave “e cila do të jetë shtysë ndaj bizneseve kosovare dhe për shoqërinë, si dhe çështjen e rritjes së efikasitetit në gjykatat e Kosovës në mosvonimin e lëndëve gjyqësore”. Veseli ka përmendur edhe programin e granteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për të cilën thotë se do të ndihmojë bizneset e reja për t’u zhvilluar si në tregun kosovar, por edhe atë botëror. Veseli komentoi çështjen e rritjes së pagave duke thënë se nuk është ithtar i kësaj iniciative dhe se mbështet fuqishëm partneritetin sa më të madh mes sektorit publik dhe privat.